Familjet, mes frikës dhe shpresës në kërkim të pengjeve

Ata kërkojnë nga poltikanët lirimin e tyre dhe në fund të flasin për politikë dhe marrëveshje

Ndërsa gjashtë anëtarë të familjes Aloni besohet se mbahen peng në Gaza për gati një muaj, Moran dhe nëna e tij Ricky janë ende në kërkim të informacioneve nëse ata janë gjallë.

Danielle dhe Sharon, dy motrat e Moranit, ishin me familjet e tyre në shtëpinë e Sharonit në Kibbutz Nir Oz më 7 Tetor, kur militantët e Hamasit sulmuan komunitetin, duke djegur shtëpi, duke vrarë civilë dhe duke rrëmbyer qindra të tjerë.

Një mesazh zanor që Moran mori atë ditë nga motra e tij Sharon, përshkruante sesi personat e armatosur ndodheshin në shtëpinë e tyre.

“Hera e parë që morëm një shenjë se dikush nga familja jonë është gjallë ishte disa ditë më parë kur pamë videon që Hamas publikoi, ku pamë motrën time së bashku me dy pengje të tjerë. Çdo mëngjes zgjohem duke menduar nëse kjo është një ëndërr, ju e dini momentin që zgjoheni dhe nuk jeni i sigurt nëse ajo që ndodhi dje është pjesë e një ëndrre apo jo. Ndihem fajtor gjatë gjithë kohës. E shoh vajzën time duke buzëqeshur ndihem fajtor, shkoj të fle ndihem në faj, jam i sigurt që nuk jam vetëm unë, e dëgjoj nga të gjitha familjet.”

Nga ai mesazhi i fundit, Moran dhe prindërit e tij nuk kanë marrë asnjë lajm për vendndodhjen e të gjashtë anëtarëve të familjes së tyre që ishin fshehur në shtëpinë e Sharon, burri i saj David dhe dy binjakët e tyre 3-vjeçarë Emma dhe Yuli, Danielle dhe vajza e saj 5-vjeçare Emilia.

“Në këtë moment kurohem me ilaçe, ndërkohë kam edhe një psikolog gjithnjë me vete. Unë dua t’i them diçka familjes sime atje, e dashura ime Danielle, Sharon dhe David dhe nipërve të mi jeni gjithmonë në mendjen time. Sigurohuni që po bëjmë të gjitha përpjekjet që mund të bëjmë për ju dhe po pres momentin për t’ju parë, për t’ju përqafuar. Nuk mund të qaj më sepse nuk kam më lot. Por unë mendoj për ju ditë e natë dhe shpresoj t’ju shoh përsëri me ne.”

Më 30 Tetor, grupi islamik Hamas publikoi një video që tregonte tre gra të mbajtura peng, që thuhet se janë filmuar në Gaza. Vetëm njëri prej tyre po fliste para kamerës. Ishte motra e Moranit, Daniela.

Përpjekja e Moran për të gjetur të dashurit e tij tanimë përballet me një realitet të pasigurt, pasi deri më tani nuk ka asnjë informacion për të konfirmuar se anëtarët e tjerë të familjes janë gjallë.

Moran dhe nëna e tij Ricky bënë thirrje për lirimin e të gjithë pengjeve dhe kërkuan që kjo të ishte një parakusht për çdo marrëveshje me Hamasin.

“Bota duhet të kërkojë lirimin e pengjeve tani. Këta janë civilë, kjo nuk është pjesë e luftës. Ata duhet të kërkojnë lirimin e fëmijëve – një foshnje 10-muajshe, fëmijë 5-vjeçarë që panë prindërit e tyre të vrarë para syve të tyre dhe aktualisht janë vetëm atje. Nuk e kuptoj se si po diskutojnë marrëveshje kur ka fëmijë nën zotërimin e këtyre terroristëve. Fillimisht duhet të lirojnë të gjithë dhe më pas të flasin për politikë.”

Ushtria izraelite javën e kaluar bëri të ditur se militantët e Hamasit aktualisht mbajnë 241 pengje në Gaza, shumica izraelitë dhe disa shtetas të huaj. Mes pengjeve ishte një foshnjë 9-muajshe, fëmijë, të moshuar, burra dhe gra. Çështja e pengjeve ka të ngjarë të marrë një vëmendje shumë herë më të madhe tanimë sipas analistëve, edhe pse bisedimet për të kanë ngecur.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share