Familjarët të cilëve u janë zhdukur më të dashurit e tyre po përgatiten ta padisin shtetin serb në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, në momentin që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës. Presidentja Osmani, Zyra qeveritare për të pagjeturit dhe Instituti për Krime të Luftës, inkurajojnë qytetarët që të bëjnë gati paditë. E familjarët shpresojnë që kjo do të jetë mundësi e mirë që të triumfojë drejtësia.
Vëllai i Lutfijes, doktor Adem Ademi vazhdon të jetë në mesin e të zhdukurve me dhunë tash e 25 vjet. Familjarët gjatë gjithë kohës kanë kërkuar të dinë për fatin e tij, por as nuk ia gjejnë eshtrat e as nuk ia dinë varrin.
“Që 25 vite jetojmë me shpresë se do t’i gjejmë familjarët tonë”, tha Lutfije Ademi Vokshi.
Familjes së Lutfijes u ka mbetur një shpresë që ta padisin shtetin serb në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg në momentin që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.
“Ne familjarët e presim me padurim rezultatin pozitiv që Kosova të pranohet në KiE dhe besoj që çdo familjar sikur unë, do të bëjnë padinë edhe individualisht, por kisha pas dëshirë që edhe institucionet e Kosovës të bëjnë padi, që të jemi sa më të fuqishëm, të ngrisim zërin sa më lartë që Serbia të marrë dënimin e merituar për krimet që i ka bërë në Kosovë”, shtoi ajo.
Në këtë çështje familjarët kanë përkrahje edhe nga presidentja Vjosa Osmani. “Nga anëtarësimi në KiE përfitojnë të gjithë qytetarët tanë, por më së shumti përfitojnë familjet të cilave u është mohuar drejtësia tash e 25 vjet”, tha presidentja.
Kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, thotë se si shtet janë edhe disa procedura të tjera që duhet t’i ndjekin deri te padia ndaj Serbisë për gjenocid.
“I bëj thirrje të gjithë atyre që janë të prekur direkt apo indirekt nga lufta 98-99 në çfarëdo lloj mënyre që të përgatiten dhe të fillojnë të gjejnë mundësinë për paditë e tyre ndaj shtetit serb sepse mendoj që jemi vonë dhe është koha ta bëjmë përgjegjës atë që i ka bërë këto krime, ku dikush patjetër duhet të përballet me drejtësinë. Ata që kanë kryer këto krime patjetër që duhet të jenë në burgje”, tha Hoti.
Instituti për Krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë po bëhet gati të mbledhë sa më shumë dëshmi. “Të gjithë ata aktorë, individ, institucione që deri më tash kanë arritur të grumbullojnë materialet që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës, po bëhen gati që ta marrin drejtësinë e merituar.