Avokati Gent Gjini, i autorizuar nga familja e Faton Hajrizit, ka dorëzuar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj kryeministrit Albin Kurti, vartësit të tij Besnik Bislimi dhe ndaj deputetit Arbër Rexhaj, për përdorimin sipas tij gjuhës ofenduese dhe të urrejtjes.
Avokati Gjini ka bërë të ditur të enjten se në padi e ka përfshirë edhe avokatin Gazmend Halilaj.
Ai ka thënë se fjala “kriminel” i ka shtyrë të bëjnë këtë padi.
Gjini ka thënë se familja Hajrizi janë të “indinjuar dhe fyer nga shprehjet e zyrtarëve.
“Kjo padi ka të bëjë me të paditurit që janë zyrtarë të lartë shtetëror, bëhet fjalë për Besnik Bislimin zëvendëskryeministër i Qeverisë, kryeministrin dhe një deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje të cilët kanë përdorur epitete dhe në konotacionin negativ kanë njollosur familjen Hajrizi dhe duhet ditur se përdorimi i shprehjes fyese me terminologjinë ‘kriminel’ nuk njihet në Kod… Gjatë seancave gjyqësore që do të mbahen do ta provojmë me fakte se këto gjëra janë shumë të qarta dhe janë fakte konkrete dhe sigurisht përmes ekspertizave të lëmisë psikiatrike do të kërkojmë kompensim… Do të dalim para Prokurorisë dhe do të marrim një satisfaksion moral dhe material për familjen, ne kemi të drejtë që nëpërmjet kësaj të kërkojmë edhe tërheqjen e fjalëve ofenduese dhe fyese dhe familjes t’i kërkohet falje… Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj është ai i cili haptas në rrjetet sociale në Facebook, ne rrjetin e tij, ka përdorur epitete negative… Gazmend Halilaj, i cili ka dalur dhe ka theksuar faktet të cilat duhet t’i provojë dhe argumentoj në gjyq”, tha ai.
Ndonëse ishte paralajmëruar, në këtë padi nuk është përfshirë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu për të cilën avokati Gent Gjini tha se do të ndodh bëhet padi ditëve në vijim.
“Në mesin e tyre por jo në këtë mjet të padisë që do e parashtrojmë sepse konsiderojmë se ministrja është lëshuar në teori konspirative që nuk i takon asaj… andaj në ditët në vijim sigurisht do të lëshohet edhe padia ndaj saj në kuptim të zbardhjes së asaj se në çfarë kuptimi i ka dhënë kësaj qasjeje me teori konspirative”, tha ai
Artan Hajrizi, vëllau i të ndjerit Faton Hajrizi, u shpreh se përmes kësaj padie nuk kërkojnë kompensim material, por duan që avokati Gazmend Halilaj të jap përgjegjësi para drejtësisë lidhur me deklaratat që kishte dhënë për Faton Hajrizin.
“Familja nuk kërkon kompensim as asgjë, se nuk paguhet gjaku me para… Mua më vret me se shumti ky që ka dalur ka deklaruar ‘e di unë kush e ka vrarë rusin nuk e ka vrarë Faton Hajrizi’ ka thënë por e di unë, e ky duhet të jap përgjegjësi se kush është ai person qe e ka vrarë rusin e vëllau im i mbajti 20 vite burg, ky duhet të jap përgjegjësi para shtetit”, tha ai.
“Janë duke e quajtur kriminel, ta quajnë një njeri kriminel ai nuk ka bërë krime a e di si quhet një njeri kriminel, kur bënë masakër ai quhet kriminel jo vetëm që ka ikur nga burgu e quajnë kriminel”, shtoi ai.
Faton Hajrizi është vrarë më 19 korrik të vitit 2024 në Lloznicë, në afërsi të kufirit në mes të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës pasi ishte arratisur nga burgu i Smrekonicës të Vushtrrisë më 6 korrik.
Nga Serbia trupi i Hajrizit ishte kthyer në Kosovë më 9 gusht.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë një mbledhjeje të ekzekutivit kishte deklaruar që Faton Hajrizit të mos quhet hero. /kp/