Fakulteti i Arteve i Universitetit të Tetovës e përmbylli vitin akademik me disa aktivitetekulturore

Në hapësirat e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës, më 13 qershor 2023, u hap ekspozita e studentëve të Artit Figurativ, aktivitet ky që është shndërruar në traditë dhe organizohet në përfundim të çdo viti akademik. Në këtë ekspozitë, studentët paraqesin punën dhe suksesin e tyre të arritur brenda një viti, në pikturë, skulpturë, grafikë dhe dizajn grafik. Kjo ditë është një moment kremtimi, që synon të sjell këtë mozaik të larmishëm të drejtimeve artistike, që përmbushin detyrën e tyre përmes përvojave studentore.

Profesoresha e Fakultetit të Arteve, Doc. Dr. Jëlldëz Asani tha se, ekspozita është pasqyrë e angazhimit të studentëve në bashkëpunim me pedagogët e tyre. Punimet seleksionohen dhe nga ata zgjidhen punimet më të mira, duke e përfaqësuar secilin student në mediume të ndryshme, si pikturë, grafikë, dizajn grafik, fotografi dhe instilacionet apo arti konceptual. “Ekspozita paraqitet si një udhëtim në hapësirë dhe kohë ku shihen liria dhe stilet e punës, si një prezantim i vizionit dhe zhvillimit të drejtimeve artistike, nga ajo tradicionale tek ajo bashkëkohore apo post moderne. Shumica e veprave janë të para, si sfida të cilat kërkojnë marrjen e një pozicioni apo qëndrimi nga ana e jonë.

Aq më tepër kur edhe zhvillimet e artit sot priren dukshëm të hedhin mbi sfidat e ndryshme nëpër të cilat duhet të kalojmë dhe ta tejkalojmë. Sfidat duhet të sfidohen, andaj edhe ju të dashur studentë, në asnjë moment mos hezitoni por jini gjithmonë në kërkim, hulumtim të proceseve artistike derisa të krijoni identitetin tuaj artistik.

Mos reshtni kurrë së lexuari dhe mësuari, sepse dija është fuqi. Rruga drejt suksesit të mëtejshëm nuk mbaron me kaq. Ju do të jeni artistë që në të ardhmen do ta prezantoni Universitetin, vendin dhe artin tuaj në fushën e arteve dhe të kulturës, në themelimin e identitetit dhe vlerave kulturore e kombëtare. Këto prezantime që do t’i shihni sot, në përgjithësi paraqesin një freski dhe një reflektim, duke shprehur një lloj optimizmi dhe shprese për atmosferë më të mirë dhe moment për të përmbushur boshllëkun shpirtëror”, tha profesoresha e Fakultetit të Arteve, Doc. Dr. Jëlldëz Asani.

Ndërsa, dekani i Fakultetit të Arteve, Prof. Ord. Senat Abduli tha se, sot para studentëve qëndron me një përgjegjësi jashtëzakonisht të madhe, meqë ky aktivitet organizohet para dyerve të një institucioni që quhet Universiteti i Tetovës, e që sipas tij është Universiteti unik.

“Kur them unik, dua të them se është Universitet që bart energji nga çdo pore e shqiptarëve të këtij vendi, duke u nisur nga Struga e Kumanova, nga Shqipëria e Kosova. Të dashur studentë, jam i privilegjuar që jam para jush, por dijeni se këtë privilegj e keni edhe ju që ishit pikërisht studentë të këtij Universiteti, me këtë histori të dhimbshme por shumë krenare. Ndjehuni të sigurt, të dashur studentë, se e ardhmja e juaj do të jetë e ndritur pikërisht pasi i keni pasur këta profesorë, që me shumë mund dhe sakrifica të punojnë për ju dhe natyrisht këtë energji do ta bartni ju nesër tek gjeneratat e reja, dhe sidomos tek fëmijët tuaj”, potencoi dekani i Fakultetit të Arteve, Prof. Ord. Senat Abduli.

Në kuadër të kësaj veprimtarie u mbajtën edhe disa aktivitete të tjera, si: koncerti i studentëve të programit studimor të Artit Muzikor, performancë muzikore, filma studentorë dhe përfundoi me shfaqjen teatrore në skenën e Artit Dramatik dhe Audiovizual.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share