Teksa Evropa është përfshirë nga temperatura të larta ekstreme, në kontinentin aziatik ka përmbytje katastrofike. Në Korenë e Jugut numri i viktimave nga përmbytjet ka shkuar në 35 ndërsa më shumë se 10 persona rezultojnë ende të zhdukur.
Shirat e rrëmbyeshëm kanë vazhduar që nga fundi i javës së kaluar. Ato kanë shkaktuar në disa pjesë të ndryshme të vendit rrëshqitje dheu dhe ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike.
Më shumë se 7000 banorë janë evakuuar nga shtëpitë e tyre.
Përmbytje ka patur edhe në Kinë. Pavarësisht përmirësimit të infrastrukturës, qendrat urbane izolohen tërësisht nga përmbytjet. Ndërkohë, dëmet materiale janë të pallogaritshme.
Ndërsa në qytetin e Nju Dehlit në Indi është urdhëruar mbyllja e të gjitha shkollave dhe universiteteve. Qyteti me 20 mln banorë ka regjistruar reshje shiu mbi normalen.
“Në Nju Delhi ka patur përmbytje, por unë nuk kam parë kurrë diçka të tillë. Njerëzit flasin për përmbytjet e 78-ës, por unë nuk kam lindur atëherë. Unë kam qenë dëshmitar i përmbytjeve të vitit 1996, 2010 dhe 2013, por nuk kam parë ndonjëherë përmbytje në këto përmasa”.
Rritja e nivelit të lumit Yamuna ka çuar në evakuimin e qindra banorëve.
Klan News