TEMPERATURAT E LARTA KANË THARË NJË LIQEN NË VERIUN E SERBISË
Europa jugore dhe i gjithë Ballkani mbetet ende nën pushtetin e të nxehtit ekstrem. Autoritetet kanë mbyllur të gjitha sitet arkeologjike në Greqi, ndërsa temperaturat e larta kanë përfshirë edhe Spanjën dhe Italinë. Ndërkaq i nxehti ekstrem ka tharë një liqen në Serbinë veriore.
Italia , Greqia dhe disa vende të Ballkanit po vazhdojnë të shënojnë rekord temperaturash të larta.
Temperaturat në Greqi vijojnë të jenë të larta për të 11-tën ditë radhazi dhe vala e të nxehtit do të zgjasë deri të dielën. Autoritetet kanë urdhëruar që të mbyllin të të gjitha objektet arkeologjike në Athinë nga ora 12:00 deri në orën 17:00, ndërsa kanë paralajmëruar njerëzit që të qendropjnë në shtëpi në orët e pikut.
Vala e të nxehtit pritet të arrijë kulmin të enjten dhe të premten, me temperatura përvëluese që do të prekin kryesisht rajonet në Greqinë qendrore, perëndimore dhe veriore. Ndërkohë, në Itali, zyrtarët shtuan Palermon, Sicili, në listën e 13 qyteteve nën një paralajmërim për temperatura të larta.
Spanja gjithashtu është goditur pnga i nxehti ekstrem. Qeveria ka nisur një fushatë ndërgjegjësimi për rrezikun e nxehtësisë për njerëzit që punojnë kryesisht jashtë. Ndërkaq autoritetet shëndetësore kanë bërë thirrje njerëzve që të mos e nënvlerësojnë ndikimin që moti i nxehtë mund të ketë në shëndet sepse trupi nuk është i përgatitur për t’i bërë ballë temperaturave të tilla të larta, që pritet të arrijnë në 44C në disa zona të vendit, kryesisht në Spanjën jugore .
Ndërkaq në Ballkan kryesisht në Maqedoninë e Veriut, autoritetet u përpoqën të frenonin dhjetëra zjarre që kishin shpërthyer në 24 orët e mëparshme, me një nga flakët më të mëdha që shtrihej gati 30 kilometra . Gjysma lindore e vendit ballkanik është prekur veçanërisht nga disa dhjetëra zjarre, me avionë zjarrfikës nga Serbia, Mali i Zi, Kroacia, Rumania dhe Turqia që iu përgjigjën thirrjes së vendit për ndihmë.
Për Serbinë, Kroacinë dhe Bosnjën, kjo është java e dytë me temperatura rreth 40 gradë Celsius. Nxehtësia është aq ekstreme sa liqeni i kripës Rusanda në Serbi në provincën veriore të Vojvodinës – është tharë për herë të parë.