Sot fillon zyrtarisht Festivali i 67-të i Eurovisionit, me gjysmëfinalen e parë që zhvillohet drejtpërdrejt nga Liverpooli.
Pesëmbëdhjetë shtete do të marrin pjesë në spektaklin e mbrëmjes së sotme, teksa dhjetë prej tyre kualifikohen në finalen e madhe të së shtunës, ku do të vendoset fituesi i Eurovision 2023.
Nikoqir të kësaj mbrëmjeje do të jenë Julia Sanina nga The Hardkiss, Hannah Waddingham dhe Alesha Dixon.
Përveç pesëmbëdhjetë vendeve që marrin pjesë, të drejtën e votës në gjysmëfinale si pjesë e ‘BIG 5’ kanë edhe Gjermania, Italia dhe Franca.
Përveç kësaj, ekziston një kategori e re që mund të votojë në të dyja gjysmëfinalet, “Pjesa tjetër e botës”.
Përfaqësuesja e Shqipërisë këtë vit është këngëtarja Albina Kelmendi me familjen e saj me këngën “Duje”, ata pritet të performojnë në gjysmëfinalen e dytë.
Ndërkohë, ylli shqiptar me famë botërore, Rita Ora do të performojë sonte (e martë) si e ftuar speciale.