Grupi kriminal pastronte paratë e trafikut të drogës që vinin nga Amerika e Jugut
33 persona janë vënë në pranga nga autoritet italiane dhe spanjolle pasi dyshohet se ishin pjesë e një rrjeti kriminal të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.
Të arrestuarit janë shtetas italianë, shqiptarë, kolumbianë, marokenë dhe sirianë. Shumica e tyre u prangosën në Itali. Me mbështetjen e Europol dhe Eurojust, specialistë të pastrimit të parave nga Guardia di Finanza sekuestruan 18.5 milionë euro asete.
Organizata kriminale kishte ngritur disa kompani në vende të tilla si Kina, Turqia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të pastruar paratë.
Për të pastruar paratë e drogës, banda përdorte skemën “Black Market Pesos Exchange” një nga më të suksesshmet dhe më efikase të pastrimit të parave në botë. Por si funksiononte kjo skemë?
Fitimet nga shitjet e lëndës narkotike në Evropë merreshin nga agjentë online dhe transferoheshin në kompani elektronike, të cilat nga ana e tyre porosisnin më pas mallra specifike.
Ato dërgoheshin në Shtetet e Bashkuara më pas në Kolumbi, ku dhe shiteshin. Ky hap i fundit u mundësonte karteleve të Amerikës së Jugut të merrnin para në dorë si një pagesë për drogën që kishin ofruar në tregjet evropiane.
Klan News