Ambasadori i BE-së në Shkup, Dejvid Gir, nuk ka komentuar paralajmërimet e Frontit Evropian rreth “betejës” për legjitimitetin. Sipas tij, me rëndësi është që zgjedhjet kaluan në atmosferë demokratike, kurse pret nga Qeveria e re të përkushtohet drejt rrugëtimit evropian.
“Mendoj se nuk do t`i komentoj dhe nuk është detyra ime që të merrem me deklarata të liderëve politik. Atë që mund ta them, është se pati një mision me të vërtetë shumë të madh për të monitoruar zgjedhjet dhe atë që mund ta ndajë me ju është se vlerësimi preliminar thotë se zgjedhjet u mbajtën në atmosferë të qetë dhe me padurim presim që të publikohet raporti përfundimtar i Misionit Mbikqyrës dhe me rekomandimet që duhet të zbatohen në të ardhmen. Jemi të interesuar që sa më shpejt të formohet një qeveri stabile dhe kjo qeveri t`i përvesh mëngët dhe t`I zbatojë reformat që kërkohen dhe gjithashtu të përkushtohet në rrugën evropiane të vendit tuaj dhe të përmbushim angazhimin tonë ndaj të rinjve që sa më shpejt vendi të bëhet pjesë e BE-së”, tha Dejvid Gir./tvklan.mk