Eurointegrimet e RMV-së/ Rokas: Agjenda reformuese e planit për rritje s’është zëvendësim për antarësim në BE!

Zgjerimi i Bashkimit Evropian është një nga prioritetet kryesore dhe Plani i Rritjes dhe Agjenda e Reformave nuk janë zëvendësim i anëtarësimit të plotë, por mjete për të mbështetur përgatitjet e vendit, thotë ambasadori i BE-së në Maqedoni, Mihalis Rokas.

Sipas tij, janë alokuar më shumë se 750 milionë euro për reformat në Maqedoninë e Veriut, përfshirë edhe mbështetje për sundimin e ligjit dhe administratën publike, dy fushat ku vendi ka mbetur pas.

Ambasadori Rokas ka theksuar se reformat në drejtësi dhe administratën publike janë të domosdoshme për të përshpejtuar procesin e integrimit të vendit në BE.

MIHALIS ROKAS -AMBASADORI I BE-së NË RMV

“Ka dy fusha në të cilat ne duhet të përqendrohemi më shumë: sundimi i ligjit dhe administrata publike. Ne kemi nevojë për një administratë publike kompetente që mund të zbatojë të gjitha reformat. Ne po punojmë shumë për sundimin e ligjit dhe e dimë se është një prioritet i lartë. Ajo ka ngecur në vitet e fundit dhe për këtë arsye ne duhet të kemi hapa konkretë përpara dhe ta kemi atë shumë shpejt”

Për Ministrin e Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, fokusi në komunikim dhe vizibilitetin e Planit të Rritjes është kyç për suksesin e reformave. Ai theksoi se qytetarët duhet të ndjejnë se reformat janë të nevojshme dhe se integrimi në BE është një mundësi konkrete për një jetë më të mirë.

ORHAN MURTEZANI -MINISTËR PËR ÇËSHTJE EVROPIANE

Thelbi i këtij Plani është komunikimi, mirëkuptimi dhe planifikimi i kujdesshëm. Qëllimi ynë nuk është vetëm të informojmë, por edhe të frymëzojmë besimin dhe pjesëmarrjen aktive të të gjithëve në procesin e integrimit evropian. Ky besim ndërtohet përmes komunikimit të qartë dhe transparent që është i kuptueshëm për të gjithë – nga studentët dhe të rinjtë tek komuniteti i biznesit, media dhe politikëbërësit.

Zbatimi i Axhendës së Reformës së Planit të Rritjes duhet të rezultojë në përfitime të trefishta të prekshme për qytetarët, përshpejtim të integrimit të vendit në BE dhe burime shtesë në buxhetin e vendit për të mbështetur reformat e nevojshme. Rezultatet do të vlerësohen dy herë në vit, dhe fondet do të lirohen sipas planeve fikse gjashtëmujore. Nëse objektivat arrihen, pagesat do të bëhen edhe në buxhetet kombëtare. /tvklan.mk/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share