“DURIMI I BE-së NDAJ BEOGRADIT DREJT FUNDIT, DËSHMI PËR IMPLIKIMIN E SERBISË NË SULMIN”
Hetimet e “Ballkan Inside” kanë informacione se armët e shfrytëzuara gjatë sulmit ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë, ishin prodhuar në Serbin ë vitin 2022, derisa disa granatahedhës dhe bomba ishin riparuar në qendrat serbe për mirëmbajtje në vitin 2018 dhe 2021, që ka rritur presionin ndaj BE-së nga Prishtina, liderët rajonal dhe anëtarë të Parlamentit Evropian për vendosjen e masave kundër Serbisë – thuhet në një publikim të Euroaktiv.
“Durimi i BE-së ndaj Beogradit është drejt fundit pasi paraqiten gjithnjë e më shumë dëshmi për implikimin e Serbisë në sulmin, duke llogaritur edhe implikimin e bashkëpunëtorit të djalit të Presidentit Aleksandar Vuçiq. Në mesin e personave për të cilët ka njohuri se kanë qenë të lidhur me sulmin në Banjskë, janë ish-Nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq, i cili u dorëhoq pas zbardhjes së këtyre informatave, truproja personale e shefit të BIA-s, si dhe bashkëpunëtori i afërt i djalit të Vuçiqit” – thuhet në publikimin e Euroactive.
Eurodeputetja dhe raportuesja për Kosovën, Viola fon Kramon, ka vlerësuar se vështirë është të besohet se Presidenti serb Vuçiq nuk ka pasur njohuri për armët dhe zhvillimet me organizimin e grupit që kreu sulmin ndaj policisë së Kosovës.
“Kësaj radhe durimi me Presidentin Vuçiq është ulur. Si mbërritën në veri automjetet e blinduara dhe armët? Kush qëndroi pas tyre dhe cilat grupe kriminale ende po fshehen atje? Flasim për masa politike dhe financiare që lidhen me negociatat aderuese. Kemi në dispozicion mjete dhe e dimë se nuk është në interesin e Vuçiqit që gjërat të dalin jashtë kontrollit, veçanërisht pas paralajmërimeve për zgjedhje në dhjetor” – tha Viola fon Kramon.
Eurodeputetja Von Kramon ka theksuar se bëhet fjalë për masa, e jo për sanksione, një terminologji për të cilën insiston BE-ja. Ata tashmë janë gati dhe kanë të bëjnë me kufizime për qasje në fondet IPA, duke shtuar se derisa nuk përfundojnë hetimet nuk mund të vazhdohet dialogu Prishtinë – Beograd me ndërmjetësim të BE-së.
BE-ja vendosi masa edhe ndaj Prishtinës për shkak të mosuksesit të autoriteteve të Kosovës që të ulin tensionet në veri të Kosovës.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, dje njoftoi se Brukseli pret bashkëpunim të plotë dhe të pakushtëzuar të Serbisë në hetimet për sulmin në Banjskë. /KlanMacedonia/