Euro 2024| Thirrjet kundër Kosovës, UEFA heton Serbinë

UEFA ka hapur një hetim ndaj Serbisë, për koret kundër Kosovës, të kënduara nga tifozët e saj para dhe gjatë ndeshjes kundër Anglisë. Brohoritjet “Kosova është Serbi” nuk kanë kaluar në heshtje nga institucioni drejtues i futbollit europian.

Hetimi i UEFA-s bëhet për dy shkelje. Njëra ka të bëjë me hedhjen e sendeve dhe tjetra ka të bëjë me transmetimin e një “mesazhi provokues të papërshtatshëm për një ngjarje sportive”.

Ndërkohë, edhe Federata e Futbollit e Kosovës ka denoncuar në UEFA për të njëjtat argumente, Federatën Serbe. FFK akuzon serbët se kanë shfaqur banderola, slogane e kore me mesazhe politike shoviniste, të papranueshme për një event si Kampionati Europian i Futbollit, që ka kërkuar dënim të ashpër për serbët.

Në prag të ndeshjes midis Serbisë dhe Anglisë ka pasur edhe përleshje mes dy tifozerive. Pas trazirave shtatë tifozë të Serbisë dhe një tifoz i Anglisë u arrestuan nga policia lokale gjermane. Ata po përballen me akuza penale dhe përjashtim nga stadiumet.

Dhuna në qendër të Gelsenkirchen, në Gjermaninë perëndimore shpërtheu pasi tifozët anglezë kishin kërkuar të hynin në një lokal të mbushur me mbështetës të Serbisë.

Gjithsej 150 persona besohet nga policia se janë përfshirë në dhunën ku u përdoren karrige, shishe qelqi dhe mjete të tjera të forta duke lënë disa tifozë dhe të paktën një oficer policie me plagë të rënda në kokë.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share