Etapë e re në karrierën e Ajetit, mbrojtësi firmos me Cluj

Etapë e re në karrierën e Arlind Ajetit. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare ka firmosur me Cluj në Superligën rumune të futbollit, duke tentuar tashmë të lërë gjurmë në një kampionat të ri.

29-vjeçari është prezantuar si përforcim te skuadra rumune, ku ka firmosur një kontratë dy vjeçare me opsionin për të zgjatur qëndrimin e tij në klub edhe me një tjetër vit. Ky kalim konsiderohet edhe si një lëvizje mjaft e mirë për Ajetin, i cili synon të rikthehet protagonist dhe të jetë në qendër të vëmendjes së kombëtares shqiptare për duelet e së ardhmes.

Lojtari i lindur në Zvicër dhe i formuar në skuadra si Torino, Frosinone, Crotone, Grasshoper dhe Bazel ishte i lirë pas përfundimit të kontratës me Pordenone. Me fanellën e Bazelit, Ajeti fitoi 4 herë titullin kampion në Zvicër, teksa ka eksperiencë edhe në arenën Europiane, ku ka luajtur në Champions dhe Europa League. Ajeti është zhdukur prej pak vitesh nga radarët e kombëtares shqiptare, për të cilën ka bërë 21 paraqitje, mes të cilave edhe në Kampionatin Evropian të vitit 2016. Mbrojtësi mund të përshtatet mjaft mirë në dy pozicione në fushë, në qendër dhe në të djathtë, teksa vlerësohet në treg me shifrën e 400 mijë eurove.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share