Escobari në Shkup për ndryshimet kushtetuese

Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit Gabriel Escobar po qëndron për vizitë në Maqedoninë e Veriut. Escobari në Shkup takon presidentin Stevo Pendarovski, kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe liderin e VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski.

Ardhja e Escobarit në Shkup vjen pas fillimit të procedurës parlamentare për miratimin e ndryshimeve kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë si kusht që vendi të mbajë mbledhjen e dytë ndërqeveritare dhe të vazhdojë negociatat me Bashkimin Evropian, raporton DW.

Diplomati i lartë amerikan ka deklaruar se ShBA-ja fuqimisht e përkrah procesin e ndryshimeve kushtetuese dhe është e angazhuar që me qeverinë e re në Sofje të sigurojnë se nuk do të parashtrohen kërkesa të reja në rrugën evropiane të vendit. Ai vlerëson se me integrimin evropian të vendit, do të ulet ndikimi i aktorëve të dëmshëm në rajon, siç janë Rusia dhe Kina, por edhe të aktorëve të korruptuar lokalë.

Escobari mbetet optimist se politikëbërësit në RMV do të veprojnë racionalisht dhe do të marrin hapa për një ardhmëri të sigurt të vendit. “Ai shpreson për diskutime produktive dhe të përbashkëta me udhëheqësit e qeverisë , veçanërisht lidhur me integrimin e ardhshëm në BE dhe prosperitetin afatgjatë të Ballkanit Perëndimor”, thuhet nga Departamenti i Shtetit.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share