Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit dhe i dërguari i posaçëm i SHBA për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar nga Serbia ku ka pasur takime me krerët e shtetit, ka mbajtur një konferencë për mediat ku ka folur për pritshmëritë e tij nga takimi i Ohrit.
Escobar ka thënë se marrëveshja që tashmë ndodhet në tavolinë është një nga mundësitë më të mira për të çuar rajonin përpara.
Ai tha sot se mendon se është plotësisht e mundur të arrihet një marrëveshje përfundimtare për normalizimin këtë vit.
“Do të kisha dashur që këtë vit të arrihet, dhe mendoj se kjo është plotësisht e mundshme”, u shpreh ai.
I dërguari special i SHBA-së tha se nuk pret që gjatë takimit në Ohër të ketë nënshkrime, por theksoi se do të hapet rruga për përparim të mëtejmë.
“Nuk pres që tani të ketë nënshkrime, por shpresoj për progres. Mundësitë do të ishin shumë pozitive për rajonin”, thotë ai.
Ai foli edhe për çështjen e asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke thënë se asociacioni do të bëhet, por çështja është se sa shpejt do të ndodhë kjo dhe cili model do të aplikohet.
“Kur flas për këtë si kërkesë, nuk dua të provokoj një konfrontim apo ta minoj si sfidë. Fakti është se Asociacioni figuron në Marrëveshjen e Brukselit. Është pjesë e konkluzioneve të këshillit politik dhe të SHBA-së. Do të realizohet, pyetja e vetme është se sa shpejt do të realizohet. Pjesa e dytë është se çfarë modeli do të aplikohet. Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak dha disa shembuj të ndryshëm se si funksionon ky lloj komuniteti në BE, për të dhënë të drejtat e pakicave për të vendosur vetë fatin e tyre, kjo duhet të ndihmojë në afrimin e vendeve dhe ne do të donim që një nga ato modele të shërbejë si model edhe për Asociacionin”, tha Esckobar.
I pyetur nëse mund të thuhet se pas vizitës së tij dhe të Lajçakut jemi më afër Asociacionit se një muaj më parë, ai tha se mund ta pohojë këtë.
“Mund të them se jemi. Mund të them se bisedimet tona me qeverinë e Kosovës po bëhen gjithnjë e më realiste dhe produktive. Ata kanë filluar të kuptojnë se kjo është një pjesë ligjërisht e detyrueshme e marrëveshjes dhe se do t’i afrojë ata me Evropën. Besoj se jemi shumë më afër kësaj se disa javë më parë”, theksoi Escobar./EO