I dërguari amerikan për Ballkanin: Të mbahen menjëherë zgjedhjet në veri
I dërguari i posacëm i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar thotë se 3 policët e Kosovës të arrestuar prej disa ditësh, nuk kanë pasur si qëllim të jenë në Serbi, e për këtë arsye duhet të lirohen.
Gabriel Escobar: Kemi ndjekur me vëmendje ngjarjen e 3 policëve në Serbi. Kemi të gjitha faktet. Ata policë nuk kanë pasur qëllim të jenë në Serbi dhe duhet të lirohen. Po punojmë me të gjitha institucionet për t’ua bërë të qartë faktet. Të dyja palët, duhet të luajnë një rol për qetësimin e situatës.
Escobar thekson nevojën për të mbajtur sa më parë zgjedhjet në veri të Kosovës.
Gabriel Escobar: Ne besojmë se zgjedhjet duhet të mbahen menjëherë dhe të riaktivizohet dialogu. Ne nuk po i kërkojmë Kosovës diçka që s’duhet ta bëjë, por po e ndihmojmë. Ne nuk e kuptojmë pse po e refuzon këtë kërkesë tonën të ligjshme. Marrëveshja nuk cënon integritetin e Kosovës, flamurin, simbolet e saj dhe dokumentet e saj qeveritare. Kjo do të detyrojë Serbinë të lejojë Kosovën të jetë pjesë e integrimit euroatlantik.
I dërguari i posacëm i SHBA për Ballkanin Perëndimor paralajmëron pasoja të rënda në rast se nuk do të ketë bashkëpunim.
Gabriel Escobar: Ata që duan të jenë partnerë me ne, duhet të punojnë afër me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, në pikat në të cilat jemi duke insistuar. Një lider nuk mund të ketë në dorë drejtimin e gjithë rajonit. Prandaj, ata që refuzojnë partneritetin do të kenë pasoja.
Ndër të tjera, Escobar kërkon nga Qeveria e Kosovës të heqë ndalesën ndaj mallrave serbe në kufi.
Klan News