“Asociacioni do të bëhet, pyetja se me kë?”
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes të dërguarit të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, rrisin kritikat ndaj kryeministrit Albin Kurti. Pas mbylljes së takimeve dy ditore me liderët politik në Prishtinë, Escobar në një takim me gazetarët tha se raportet mes popullit të SHBA-së dhe Kosovës janë të forta dhe “nuk do të ndryshojnë”, por Washington-i ka disa sfida në raportet dypalëshe me kryeministrin Kurti.
“Kur duam ta rikthejmë koordinimin dhe partneritetin me këtë qeveri, ne jemi të gatshëm, sepse ne gjithmonë do të jemi me popullin e Kosovës. Kjo nuk nënkupton që duhet ta mbështesim një individ që nuk e ka atë instinkt të bashkëpunimit dhe koordinimit”.
Escobar se mënyra për të lëvizur përpara, përkatësisht për të çtensionuar situatën në veri, është propozimi i BE-së që kryetarët e rinj shqiptarë të mos punojnë nga objektet komunale në kohën kur tensionet janë të larta dhe të mbahen zgjedhjet e reja lokale në këtë zonë.
“Nëse këto përpjekje dështojnë, kjo do të dërgojë një sinjal të fuqishëm që Kosova nuk është e interesuar të koordinohet me ne. Mendoj, se kjo do të ishte fatkeqe. Jo Kosova, por kryeministri. Për Kosovën, e vetmja zgjidhje është Asociacioni. Do të ndodhë, por pyetja është se me kë dhe për sa kohë do të duhet të presim? Prandaj, nuk e kuptoj këtë vonesë”.
Dy emisarët e SHBA-ve dhe BE-së, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak veç presidentes dhe kryeministrit u takuan dhe me liderët e partive të opozitës, si dhe me listën serbe. Liderët e opozitës fajësuan Kurtin, duke deklaruar se falë veprimeve të kryeministrit Kosova gjendet në një situatë kritike.
Tv Klan