Presidenti i Republikës së Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, votoi mëngjesin e sotëm në Stamboll, pas së cilës deklaroi se është shumë e rëndësishme që qytetarët të shkojnë në kutitë e votimit në numër sa më të madh dhe të tregojnë forcën e demokracisë turke, raporton TRT.
Qytetarët e Turqisë votojnë sot në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, duke zgjedhur mes tre kandidatëve për president, 24 partive politike dhe 151 kandidatëve të pavarur për mbledhjen e re të Asamblesë së Madhe Kombëtare të Republikës së Turqisë, e cila ka 600 vende.
Presidenti aktual Erdogan, kandidati i Aleancës Popullore të udhëhequr nga Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), të cilën ai kryeson, votoi në një qendër votimi në lagjen Uskudar të Stambollit. Erdogan shoqërohej nga bashkëshortja e tij Emine Erdogan.
Në një deklaratë të shkurtër për gazetarët pas votimit, Erdogan tha se procesi zgjedhor po shkon sipas planit, pa asnjë problem.
Është veçanërisht e rëndësishme, theksoi ai, që procesi zgjedhor të ecë pa probleme në rajonet e prekura nga tërmeti në Turqi.
“Qytetarët tanë në rajonet e prekura nga tërmeti gjithashtu shkojnë në votime me shumë dëshirë”, tha Erdogan, duke shtuar:
“Është e një rëndësie të madhe dhe nga aspekti i të treguarit të forcës së demokracisë turke, që qytetarët tanë të shkojnë në kutitë e votimit pa asnjë shqetësim.
Gjıthsej 64,11 milionë njerëz kanë të drejtë të votojnë në zgjedhje dhe më shumë se 4,9 milionë qytetarë turq do të mund të votojnë për herë të parë.