Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, e ka prezantuar planin për rritje të shpenzimeve publike, i cili shihet si përpjekje për të rritur bazën e votuesve, pak para zgjedhjeve.
Në planin e Erdoganit përfshihen ulja e taksave, rritja e pagave, subvencione për energjinë dhe më shumë punë qeveritare.
Në nisje të fushatës së tij zgjedhore në Ankara, Erdogan është zotuar edhe për ndarje të fondeve në “mega-projekte”, përfshirë ato në mbrojtje. Erdogan është zotuar edhe për ulje të normës së inflacionit dhe rritje ekonomike.
Këto premtime janë bërë në kohën e rritjes rekorde të çmimeve të jetesës dhe vështirësive ekonomike, të cilat Turqia nuk i ka përjetuar në dy dekada.
E gjithë kjo situatë përbën sfidë për të në zgjedhjet e 14 Majit. Turqia mban zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në maj, pas gati 20 vjetëve të Erdoganit në pushtet.
Sondazhet sugjerojnë garë të ngushtë në mes të Erdoganit dhe liderit opozitar, Kemal Kılıçdaroglu.
Në garën për president marrin pjesë edhe dy persona tjerë, por me më pak mundësi të fitores.
Disa analistë besojnë se Kılıçdaroglu, 74-vjeçar, kryetar i partisë sekulare, Partia Popullore Republikane, ka më shumë mundësi për fitore sesa Erdogan, 69-vjeçar.
Kılıçdaroglu mund të gëzojë mbështetjen e bllokut opozitar – një kombinim i rrallë mes islamistëve, kurdëve dhe nacionalistëve.
Fushata këtë herë ka nisur nën hijen e tërmetit shkatërrues që ka goditur juglindjen e shtetit më 6 shkurt.
Erdogan është kritikuar për menaxhim të dobët të krizës, pas tërmetit.
Në këto zgjedhje do të mund të votojnë 60.9 milionë persona që banojnë në Turqi, dhe 3.3 milionë të tjerë që jetojnë jashtë shtetit./REL