Erdogan: OKB e paaftë t’i mbrojë civilët në Palestinë dhe Liban nga sulmet e Izraelit

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan kritikoi ashpër të martën politikat e Izraelit, duke theksuar se ato çojnë në gjenocid dhe dënoi paaftësinë e Kombeve të Bashkuara (OKB) për të mbrojtur civilët në Palestinë dhe Liban.

Duke folur në konferencën “Diplomacia globale dhe e ardhmja e Palestinës” në Ankara, lideri turk theksoi se institucionet ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Sigurimit të OKB-së, janë plotësisht të pafuqishme përballë lëvizjeve agresive të Izraelit.

Erdogan vuri në pikëpyetje se si OKB-ja mund të mbrojë të drejtat e të tjerëve kur nuk është në gjendje të mbrojë anëtarët e vet, duke aluduar në sulmet ndaj paqeruajtësve të OKB-së në Liban.
“Nëse OKB-ja është e paaftë të parandalojë sulmet ndaj ushtarëve të saj, si do t’i mbrojë njerëzit e Gazës dhe Libanit nga duart e pista të sionistëve?”, pyeti 70-vjeçari.

Ai theksoi se “natyra e vërtetë e Sionizmit” u ekspozua qartë përmes veprimeve izraelite.

“Pas Gazës, politikat gjenocidale të Izraelit u shtrinë edhe në Liban, gjë që e lejoi botën të njohë fytyrën e vërtetë të Sionizmit”, tha Erdogan.

Udhëheqësi turk akuzoi gjithashtu “lobin sionist për kontrollin e fuqive globale”. Sipas tij, ndikimi sionist është i gjithëpranishëm dhe forcon më tej shtypjen e palestinezëve.

“Në atë proces, ne të gjithë dëshmuam nga afër se si lobi sionist kontrollon forcat dhe sistemin global, si ushtron presion mbi ekonominë, tregtinë, median, industrinë e filmit, të gjitha degët e artit, komunitetin akademik, universitetet dhe madje edhe shtetin. Burokracia ushtarake dhe civile në disa vende”, tha ai.

Erdogan riafirmoi mbështetjen e Turqisë për Palestinën, duke theksuar se Turqia do të vazhdojë të ofrojë ndihmë humanitare dhe të shtyjë përpara agjendën e krijimit të një shteti të pavarur palestinez brenda kufijve të vitit 1967, ku kryeqytetet do të jetë Jerusalemi Lindor. /Telegrafi/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share