Erdogan një ditë para vizitës në Greqi: Mitsotakis, miku im, ne nuk kërcënojmë nëse nuk na kërcënon

Tonet në marrëdhëniet dypalëshe mes Greqisë dhe Turqisë duket se janë ulur.

Një ditë para takimit të nivelit të lartë mes Kryeministrit grek Mitsotakis dhe Presidentit turk Erdogan, ky i fundit ka folur me tone pozitive për raportet mes dy shteteve.

Presidenti Erdogan do të vizitojë të enjten Greqinë, ku do të ketë takim me Kryeministrin Mitsotakis.

Një ditë para këtij takimi, Erdogan ka folur për gazetën greke Kathimerini duke thënë se Turqia nuk kërcënon Greqinë nëse edhe këta të fundit nuk e bëjnë.

“Do t’i them Kyriakos, mikut tim, që ne nuk kërcënojmë nëse nuk na kërcënon”, u shpreh Erdogan duke shtuar se Athina dhe Ankaraja mund t’i zgjidhin problemet mes tyre pa ndërhyrjen e shteteve të tjera.

“Nuk ka asnjë problem që ne nuk mund ta zgjidhim përmes dialogut mbi bazën e vullnetit të mirë në mënyrë të ndërsjelltë”, theksoi Erdogan për median greke.

Presidenti turk u shpreh se Turqia po përpiqet sinqerisht të zgjidhë mosmarrëveshjet me Greqinë dhe se Greqia e ka kuptuar që Turqia nuk do ta refuzonte kurrë dorën e zgjatur të miqësisë.

Erdogan dhe Mitsotakis ranë dakord në muajin Korrik që të rifillojnë bisedimet dhe të ndërtojnë besimin e thyer mes dy vendeve, teksa përshëndetën një klimë të re pozitive mes dy vendeve pas më shumë se 1 viti tensionesh për çështjet e burimeve të energjisë dhe mbrojtjes.

Greqia dhe Turqia, shtete fqinje dhe aleate në NATO, kanë mosmarrëveshje prej dekadash për shelfin kontinental, burimet energjetike, fluturimet mbi Detin Egje dhe për Qipron që është e ndarë etnikisht.

Pikërisht për qetësimin e situatës gjatë muajve të fundit mes Athinës dhe Ankarasë, vizita e nesërme e Erdogan në Greqi pritet me interes dhe në frymën e një klime pozitive.

/tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share