Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka thënë se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po imiton ish-presidentin e Jugosllavisë Sllobodan Millosheviq, të dënuarin për gjenocid, politikanin serb nga Bosnja e Hercegovina Radovan Karaxhiq dhe diktatorin gjerman Adolf Hitler.
“Sulmi i së dielës në Rafah, i cili erdhi pas urdhrit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ka ekspozuar natyrën tradhtare dhe të përgjakshme të shtetit terrorist”, ka thënë Recep Tayyip Erdogan, transmeton Telegrafi.
Presidenti turk sot akuzoi Izraelin për sulmin e fundjavës kundër Rafahut, i cili më parë ishte përcaktuar si “zonë e sigurt”.
Erdogan sulmoi gjithashtu kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, duke thënë: “Netanyahu dhe rrjeti i tij vrasës po përpiqen të zgjerojnë pushtetin duke masakruar njerëz pasi nuk arrijnë të mposhtin rezistencën palestineze”.
Ai theksoi gjithashtu se Turqia do të bëjë “çdo gjë në fuqinë e saj për të siguruar që ata barbarë (izraelitë) të sillen para drejtësisë për krimet që kanë kryer”. /Telegrafi/