Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha se Izraeli po përpiqet të thyejë qëndrueshmërinë e banorëve të Gazës duke bombarduar qëllimisht spitalet në enklavën e rrethuar.
“Izraeli dhe mbështetësit e tij, që përdorin të gjitha mjetet moderne gjatë luftës kundër fëmijëve, grave dhe të moshuarve, do të gjykohen para ndërgjegjes së njerëzimit”, tha Erdogan.
Që nga fillimi i sulmit të Izraelit në Gaza më 7 tetor, tha presidenti Erdogan, enklava e rrethuar ka parë mizori të ngjashme me atë që ndodhi në kryqëzatat mesjetare dhe në Luftën e Dytë Botërore.
Presidenti turk theksoi se Türkiye është vendi i vetëm që Izraeli nuk mund ta quajë antisemitik, duke shtuar se, “Nuk mund të shihni një njollë të tillë turpi në të kaluarën e Türkiyes”.
“Nëse nuk reagojmë ndaj asaj që po ndodh në Gaza, ne nuk do të mund ta parandalojmë fanatizmin okupator nga arritja nesër në tokat tona”, shtoi ai.
Izraeli vijon të kryejë sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës – duke përfshirë spitalet, rezidencat dhe objektet fetare – që nga sulmi ndërkufitar nga grupi i rezistencës palestineze Hamas më 7 tetor.
Sipas shifrave të autoriteteve të Gazës të paktën 13 mijë palestinezë janë vrarë, përfshirë mbi 9 mijë gra dhe fëmijë, si dhe më shumë se 30 mijë të tjerë janë plagosur. Gjithashtu, mijëra ndërtesa, përfshirë spitale, xhami dhe kisha, janë dëmtuar ose shkatërruar plotësisht në sulmet e pamëshirshme ajrore dhe tokësore të Izraelit në enklavën e rrethuar.
Bllokada izraelite gjithashtu ka ndërprerë furnizimet me karburant, energji elektrike dhe ujë në Rripin e Gazës.