Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan thotë se vendi i tij mund ta miratojë anëtarësimin e Suedisë në NATO nëse vendet evropiane “hapin rrugën” ndaj ofertës së Turqisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
Erdogan, vendi i të cilit ka pezulluar miratimin përfundimtar të anëtarësimit të Suedisë në NATO, i bëri komentet në Ankara të hënën përpara se të nisej për në takimin e nivelit të lartë të aleancës në Vilnius të Lituanisë.
“Turqia ka më shumë se 50 vjet që pret në derën e Bashkimit Evropian dhe pothuajse të gjitha vendet anëtare të NATO-s janë tashmë anëtare të Bashkimit Evropian. Unë po i bëj këtë thirrje këtyre vendeve që e kanë mbajtur Turqinë të presë para portave të Bashkimit Evropian për më shumë se 50 vjet”, tha Erdogan.
“Ejani dhe hapni rrugën për anëtarësimin e Turqisë në Bashkimin Evropian. Kur të hapni rrugën për Turqinë, ne do t’i hapim rrugën Suedisë siç bëmë për Finlandën”, shtoi ai.
Turqia është kandidate për t’u bërë anëtare e BE-së, por përpjekja e saj për anëtarësim ka ngecur për shkak të kthimit demokratik të Ankarasë dhe mosmarrëveshjeve me Qipron, anëtare e bllokut, raporton Associated Press, transmeton Klankosova.tv
Më herët të hënën, ministri i jashtëm suedez kishte shprehur optimizëm se Turqia do të heqë dorë nga kundërshtimet e saj ndaj anëtarësimit suedez në NATO, duke thënë se pranimi i vendit nordik është një çështje se kur dhe jo nëse.
Erdogan dhe kryeministri suedez Ulf Kristersson pritej të takoheshin më vonë të hënën në Vilnius përpara samitit dyditor të NATO-s.
Ministri i Jashtëm suedez Tobias Billström i tha transmetuesit publik SVT se ai pret që Turqia përfundimisht të sinjalizojë se do ta lejojë Suedinë të bashkohet me aleancën, megjithëse ai nuk mund të thoshte nëse kjo do të ndodhte në samitin vjetor.
“Ajo që ne po llogarisim, sigurisht, është të arrijmë në një pikë ku të marrim një mesazh nga presidenti Erdogan se do të ketë atë që ju mund ta quani dritë jeshile… një mesazh që procesi i ratifikimit në Parlamentin turk mund të fillojë ”, tha Billström, transmeton Klankosova.tv.