ZJARRE NË VELES DHE LLOZOVË, INTERVENOHET NË KONDOVË TË SARAJIT
Një zjarr i madh I cili për shkak të erës së fuqishme është përhapur në Komunat Veles dhe Llozovë ka mobilizuar institucionet kompetente për përballje me stuhitë e zjarrit.
Sipas njoftimeve të Qendrës për Menaxhim me Kriza, zjarri ka përfshirë pyje me drunj cilësor, kurse për shkak të përhapjes është kërkuar intervenimi i fluturakeve të MPB-së dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.
Helikopteri i MPB-së për shuarje të zjarrit ishte angazhuar edhe në rajonin e Kondovës së Sarajit I cili u përball me stuhi zjarri gjatë ditës së djeshme.
Sipas Qendrës për Menaxhim me Kriza, janë shuar 48 vatra zjarri, kurse katër vazhdojnë të jenë aktive. Krahas zjarrit në rajonin e Velesit dhe Llozovës, kompetentët janë në përpjekje e sipër për të vënë nën kontroll zjarret në rrethin e Makedonski Brodit, në rajonin e Kumanovës, kurse mbetje zjarri shënohen edhe në Kondovë të Sarajit. /KlanMacedonia/