Ëndrra iu bë realitet! Para se të vdiste nga leucemia, 10-vjeçarja “martohet” me shokun e saj

Para se të ndërronte jetë si pasojë e leucemisë, një vajzë 10-vjeçare ka realizuar ëndrrën e saj, atë të martesës me shokun e saj të vogël. E vogla, e quajtur Emma Edwards u diagnostikua me leucemi akute limfoblastike në Prill të vitit të kaluar dhe shpresa e prindërve të saj, nënës 39-vjeçare Alina dhe babait 41-vjeçar Aronit, ishte që vajza e tyre të mposhte sëmundjen. Por në Qershor të këtij viti, familjes ju dha lajmi rrëqethës se sëmundja e Emës së tyre ishte e pashërueshme dhe se asaj i kishin mbetur vetëm disa ditë jetë.

Në foto: Ema në spital me nënën e saj, Alina

Nëna e saj, Alina thotë se ëndrra e Emës prej 2 vitesh ishte që të martohej me shokun e saj, 10-vjeçarin Daniel Marshall Christopher Williams Junior, të cilët gjithashtu tentuan “të martoheshin” në shkollë kur ishin 8 vjeç.

Në foto: Ema dhe shoku i saj, Daniel

Familja dhe miqtë vendosën të bashkoheshin për të bërë realitet ëndrrën e Emës dhe u mbajt një ceremoni për “çiftin” më 29 Qershor, ku morën pjesë 100 persona. Ema fatkeqësisht vdiq më 11 Korrik, por prindërit e së voglës, Alina dhe Aron thanë se ndihen mirë që mund ta ndihmonin të realizonte ëndrrën e saj përpara se të vdiste.

Në foto: Ema dhe Daniel gjatë ceremonisë së “dasmës”

“Shumica e fëmijëve duan të shkojnë në Disneyland, por Ema donte të martohej, të bëhej grua dhe të kishte tre fëmijë. Ajo ishte një e dashur. Martesa ishte gjithçka që ajo dëshironte. Mësuesja foli në dasmën e tyre dhe tha se ata u përpoqën të bënin një dasmë. Ata kishin shoqëruese të nuses dhe dhëndrit dhe fëmijët erdhën në dasmë me fustane dhe me kostume. Ema ishte një vajzë shumë sociale, kështu që e kishte të vështirë të ishte larg të gjithëve. Erdhën mjekët, infermierët, mësuesit, familja, miqtë, të gjithë në dasmë”, kanë treguar prindërit e saj për “The Mirror”.

Në foto: Ema dhe Daniel (majtas), Ema dhe prindërit e saj gjatë ceremonisë (djathtas)

Nëna e të voglës ka rrëfyer se Ema kishte dhimbje kur u vesh për në ceremoni, por megjithatë kjo nuk e pengoi atë të realizonte ëndrrën e saj, atë të dasmës.

“Ajo kishte shumë dhimbje kur e veshëm. Kjo e lodhi, por ajo nuk donte që të merrte ilaçet kundër dhimbjeve pasi dëshironte që të mos e merrte gjumi gjatë ceremonisë”, ka treguar e ëma.

Në foto: Ema dhe Daniel gjatë ceremonisë

Alina thotë se Ema dukej një fëmijë i shëndetshëm derisa e çuan në spital sepse ajo u rrëzua dhe mjekët zbuluan se sëmundja kishte dëpërtuar në kockat në këmbët e saj në Prill 2022. Megjithatë, ajo thotë se mjekët ju thanë se sëmundja kishte të ngjarë të shërohej, por fatkeqësisht ky nuk ishte rasti për Emën, e cila ndërroi jetë një vit pas diagnostikimit me leucemi.

Por çfarë është leucemia akute limfoblastike?

Sëmundja është një lloj kanceri që prek qelizat e bardha të gjakut. Përparon shpejt dhe në mënyrë agresive dhe kërkon trajtim të menjëhershëm. Mund të preken si të rriturit, ashtu edhe fëmijët. Leucemia akute limfoblastike është e rrallë. Shumica e rasteve të leucemisë akute limfoblastike zhvillohen tek fëmijët, adoleshentët dhe të rinjtë. Edhe pse është e rrallë, leucemia akute limfoblastike është lloji më i zakonshëm i leucemisë që prek fëmijët.

/tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share