Emiratet e Bashkuara Arabe kanë dënuar një qytetar amerikan, avokat për të drejtat e njeriut, i cili më herët kishte shërbyer si avokat i gazetarit të vrarë Jamal Khasshoggi.
Asim Ghafoor u dënua me tre vjet burgim nën akuzat për pastrim parash dhe evazion fiskal.
Ai do të dëbohet nga shteti, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve e Emirateve, WAM.
Gjykata në Abu Dabi për pastrimin e parave po ashtu urdhëroi Ghafoorin që të paguajë një gjobë prej 800.000 dollarësh, që rrjedh nga dënimi në mungesë.
Gazetari saudit Khashoggi, u vra nga agjentët saudit më 2018 në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll, në një operacion që sipas inteligjencës amerikane, e ka miratuar Princi saudit i Kurorës, Mohammed bin Salman.
Njoftimi nga Emiratet e Bashkuara Arabe vjen një ditë pasi organizata me seli në Uashington, Demokraci për Botën Arabe (DAWN), ngriti alarmin lidhur me arrestimin e Ghafoorit në Aeroportin Ndërkombëtar të Dubait.
DAWN tha se Ghafoor, që është pjesë e organizatës, ishte nisur për në Stamboll për të marrë pjesë në një dasmë.
Një zyrtar i administratës amerikane u tha gazetarëve më 16 korrik se SHBA-ja është në dijeni të arrestimit të avokatit Ghafoor, por nuk tregoi nëse presidenti Joe Biden e kishte ngritur këtë çështje gjatë bisedës me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe në margjinat e samitit arab, që u mbajt në Arabinë Saudite.
“Nuk ka asnjë tregues se ky rast ka të bëjë me çështjen Khashoggi”, tha ky zyrtar./REL