Sekretari i Përgjithshëm i FC Shkupit, Emir Shabani në një prononcim për Klan Maqedoni nga stadiumi i Çairit, u shpreh i indinjuar dhe i zhgënjyer nga incidenti i sotëm. Sipas tij, persona të papërgjegjshëm e prishën këtë ditë, që duhej të ishte festë e madhe e futbollit.
“Fatkeqësisht ndodhi ajo që ndodhi. Disa persona, disa simpatizues të Shkupit, të papërgjegjshëm, u futën në fushë, sulmuan futbollistët dhe ndodhi ajo që ndodhi. Po për fat të mirë mund të them se nuk u bë incidenti më i madh sepse mund të ndodhte diçka edhe më e madhe. Për fat të mirë intervenoi policia shpejtë dhe mandej referi së bashku mem delegatin e ndeshjes vendosën që ndeshja të ndërpritet”, u shpreh Shabani.
Por kjo sipas Emir Shabanit duhet të marrë fund e zgjidhjen duhet ta gjejnë të dy klubet.
“Me keqardhje e them, në vend që të ishte një festë futbolli, ndodhi ajo që ndodhi. Ne duhet të gjejmë një zgjidhje të dy klubet. Këto t’i lëmë pas, që në ndeshjet e ardhshme të mos na përsëriten incidente të tilla të rënda”, përfundoi Emir Shabani, Sekretar i Përgjithshëm i Shkupit./KlanMacedonia