Emina Çunmulaj në Podcast-in e Ramës: Falë rinisë dhe talenteve shqiptare “po na hiqet pluhuri”

Modelja shqiptare nga Mali i Zi me famë ndërkombëtare Emina Çunmulaj ka qenë e ftuara e radhës në Podcast-in e kryeministrit shqiptar, Edi Rama. Modelja, e cila aktualisht jeton në Florida të SHBA-vë, është “Konsulle e nderit e Republikës së Shqipërisë”.

Ajo që e bën atë një konsulle të denjë nderi është pikërisht dashuria që ka për popullin shqiptar dhe ndihma që jep për mbështetjen dhe përfaqësimin e shqiptarëve në të gjithë botën.

Duke folur për ndryshimet në Shqipëri, Çunmulaj tha se Tirana është një qytete që ka ndryshuar në mënyrë drastike dhe është kthyer në një qendër kozmopolitane në të cilën do të jetën lehtësisht.

“Shqipëria është në një vend që pak janë qytetet si Tirana. Unë them zhvillimi Tiranës nga vjet, në sivjet është drastik. Fatkeqësisht Mali i Zi, po të shkosh në Podgoricë është shumë më mbrapa se Tirana. Dje kam pasur një bisedë të shkurtër me një shoqe që më tha, më pyeti a e sheh ti veten të ktheheshe në Ballkan? 100%. Por fëmijën ta sjell në shkollë në Mal të Zi nuk e di ende a jam tamam e qetë. Por sikur të më thoshte burri nesër, do kalojmë në Ballkan. Do i thoja ok në Tiranë. It’s a cosmopolitan city”, tha modelja.

Duke folur për paragjykimet ndaj shqiptarëve në botë, Çunmulaj tha se kjo po ndryshon dhe se “po na hiqet pluhuri, që për vite na e kanë vënë përmbi krye”. Kjo sipas saj falë rinisë dhe talenteve të reja shqiptare.

“Kështu që, sot ka ardhur koha me artistët shqiptarë, me njerëzit që kanë një shtytje shumë të madhe të marketingut, se ti e sheh në rrjetet sociale artistë janë ata që duan t’i marrin gjithë të rinjtë mbrapa. E kanë parë shqiptarët, me Rita Orën, Dua Lipa, që shqiptarët nuk janë ajo që na kanë paragjykuar përpara. Në fakt, jemi njerëz që jemi me shkollë, me kapacitet punëtore, me artistë, me të gjitha. Kështu që dalëngadalë po na hiqet pluhuri, që për vite na e kanë vënë përmbi krye. Por është diçka që vetëm rinia do e vazhdojë dhe do e pastrojë dalëngadalë”, tha Çunmulaj.

Gjatë intervistës, kryeministri Rama pyeti modelen edhe për pjesëmarrjen e saj në fushatën elektorale në Mal të Zi krah Nik Gjeloshit, kryetarit të komunës së Tuzit, për të kërkuar votën e shqiptarëve duke rritur përfaqësimin e tyre në Kuvend.

“Unë me politikë nuk merrem. Unë mund të them se jam ambasadore pranë dashurisë që kam për popullin tim. E ndoshta, ky prezantim si ambasadore e dashurisë që kam për vendin tim, kulturën time, traditat shqiptare, ato që kam në gjak mund të shihet si politikë. Por për mua kjo nuk është politikë, kjo është thjesht jeta. Unë jam rritur në atë vend e kur jam rritur vetë në atë vend, as 90% e gjërave që janë sot në Tuz, nuk kanë ekzistuar. Prandaj vetë kam dalë atë ditë, kam dalë edhe para 4 vjetësh dhe do vazhdoj të dal. Jo për politikën, por për atë që është për popullin tim. Ata që e meritojnë, e di se e meritojnë. Po kjo është dashuria ndaj popullit tim. Në qoftë se quhet politikë, le të jetë politikë pastaj”, tha Çunmulaj.

Kryeministri Rama vlerësoi rolin e Emina Çunmulaj në përfaqësimin e shqiptarëve në botë dhe se ajo është tashmë një Konsulle nderi në Florida për Shqipërinë.

“Kemi një konsulle nderi 180 e kusur cm që iu del përpara dhe u thotë “Welcome to Albania”, është super. Por përtej kësaj, është e vërtetë që kemi shumë akoma për të bërë dhe për pjesën e shkëmbimeve dhe e përfshirjes në marrëdhëniet e shqiptarëve dhe marrëdhënies të shqiptarëve me botën në sensin e eksperiencave e praktikave të mira, e dijeve të mëdha që shqiptarët kanë marrë, sepse shqiptarët janë të jashtëzakonshëm kur janë jashtë”, tha Rama.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share