Emëroi të dashurën këshilltare, dorëhiqet ministri italian i Kulturës pas publikimit të skandalit

Ministri italian i Kulturës, Gennaro Sangiuliano, ka dhënë dorëheqje pas publikimit të skandalit të lidhjes së tij jashtëmartesore, me një influencere.

Maria Rosaria Boccia ishte propozuar si këshilltarja e tij të lartë, por nuk emërua për shkak se u zbulua lidhja e tyre.

Duke cituar mediat italiane, A2 raporton se, Sangiuliano pranoi se Boccia kishte qenë e dashura e tij dhe i kërkoi falje gruas së tij dhe kryeministres Meloni dhe tha se kryeministrja kishte refuzuar ofertën e tij të parë për të dhënë dorëheqjen.

Ministri 61-vjeçar këmbënguli gjithashtu se për këtë aferë nuk është shpenzuar asnjë euro e tatimpaguesve italianë dhe nuk ka qarkulluar asnjë dokument konfidencial apo i klasifikuar për aktivitete të ndjeshme, duke deklaruar se ka prova për të mbështetur pretendimet e tij.

Në javët e kaluara, Boccia ka mbushur llogarinë e saj në Instagram me foto të saj duke shoqëruar Sangiulianon në ngjarje të ndryshme publike dhe duke treguar se ajo kishte akses në zyrat dhe dokumentet e ministrisë.

Rasti ka dominuar faqet e para dhe ka ngjallur krahasime me skandalet e kaluara të seksit dhe politikës, duke përfshirë festat “bunga bunga” të organizuara nga ish-kryeministri Silvio Berlusconi. (A2 Televizion)

Lexo gjithashtu
Total
0
Share