Pronari i ri i Twitterit, Elon Musk u ka dhënë afat deri të enjten në mbrëmje punonjësve të kësaj kompanie që të angazhohen fort në punë ose të largohen. Ky urdhër është dhënë përmes një emaili të brendshëm, raporton Washington Post dhe CNN.
“Për të ecur përpara, për të ndërtuar Twitter 2.0 dhe për të patur sukses në një botë gjithnjë e më shumë konkurruese, duhet të jemi jashtëzakonisht të fortë. Kjo do të thotë të punoni me orare të gjata dhe intensivisht. Performanca e jashtëzakonshme do të jetë notë kaluese. Nëse jeni të sigurt se dëshironi të jeni pjesë e Twitterit të ri, ju lutem klikoni më poshtë”, thuhet ndër të tjera në emailin e Musk për stafin e Twitter, duke i adresuar që të plotësojnë një formular online.
Kushdo që nuk do ta ketë dorëzuar deri të enjten në mbrëmje, atëherë do të largohet nga puna pas 3 muajsh.
Disa ditë më parë, Musk largoi nga kompania drejtuesit kryesorë të Twitter, eliminoi bordin e drejtorëve dhe pushoi nga puna pothuajse gjysmën e stafit, duke përfshirë edhe postet vendimtare.
Por tani ai thotë se nuk do të vazhdojë edhe për shumë gjatë që të shpenzojë kohën më të madhe të tij duke qëndruar në Twitter.
“Pres të reduktoj kohën time në Twitter e të gjej dikë tjetër për të drejtuar kompaninë me kalimin e kohës”, thotë Elon Musk.
Miliarderi po bën ndryshime strukturore në Twitter dhe ka parashtruar qëllime ambicioze për të ndryshuar këtë rrjet social. /tvklan.al