Ekzekutoi dy kushërinjtë në Malësi të Madhe, arrestohet 27-vjeçari Danjel Pepaj

Policia në Malësi të Madhe ka vënë në pranga Danjel Pepajn, 27 vjeç. Ai dyshohet si autor i vrasjes së dy kushërinjve të tij, Klement Pepaj dhe Vilson Çutaj, ngjarje e ndodhur më 3 Tetor 2020 në fshatin Vrith. I riu ishte shpallur në kërkim menjëherë pas ngjarjes së rëndë.

“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkodrës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim”, “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike””, njoftoi policia.

Uniformat blu thonë se Pepaj është një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Pasditen e 3 Tetorit 2020, Klement Pepaj, Vilson Çutaj dhe Danjel Pepaj humbën kontaktet me familjarët e tyre. 5 ditë më vonë, Klement Pepaj dhe Vilson Çutaj u gjetën të ekzekutuar me armë zjarri në një zonë të thellë malore.

27-vjeçari Danjel Pepaj që prej atij momenti u shpall në kërkim si autori i dyshuar i ngjarjes, për t’u arrestuar vetëm këtë të premte.

Shkak për krimin e rëndë dyshohet se u bë konflikti për vjedhjen e një sasie me kanabis që viktimat akuzonin se ua kishte marrë kushëriri i tyre, pikërisht 27-vjeçari Danjel Pepaj./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share