ZELENSKI: RUSISË NUK MUND T’I BESOHET
Burimet ushtarake në Moskë thonë se raketa ruse ka shkatërruar infrastrukturën ushtarake në qytetin ukrainas Odesa, duke mos theksuar konkretisht nëse kjo lidhet me me sulmin e djeshëm në port. Autoritetet në Kiev pohojnë se eksporti i drithërave do të vazhdojë krahas “sulmit të qëllimshëm rus në terminalet në port” me çka lëkundet marrëveshja zyrtare në mes Ukrainës dhe Rusisë, e arritur një ditë më parë për korridore të gjelbërta për eksportin e grurit.
Është lëkundur dhe është e pasigurtë Marrëveshja të cilën Kievi dhe Moska e arritën pas negociatave dymujore për eksport të drithërave ukrainase, posaçërisht në vendet e varfëra, pasi dje në mëngjes u sulmua me raketa porti jugor ukrainas Odesa.
“Bashkimi Evropian e dënon ashpër sulmin raketor rus në Odesa. Shkatërrimi i cakut kyç për eksportin e drithërave , një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes në Stamboll është për t’u dënuar dhe sërish tregon mosrespektim të plotë rus të të drejtave dhe obligimeve ndërkombëtare.” – tha Borell.
Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski sulmin e ka quajtur “barbarizëm” dhe fakt se Moskës nuk mund t’i besohet.
“Krahas faktit që Turqia dhe Kombet e Bashkuara kanë thënë se dinë si të negociojnë me Federatën Ruse për sigurimin e korridorit të gjelbër për eksport të grurit ukrainas, nuk kanë kaluar as 24 orë që ata të sulmojnë terminalin dhe qytetin e Odesës.” – deklaroi Zelensky.
Pas heshtjes së djeshme nga ana e Moskës, zëdhënësja e Ministrisë Ruse të Punëve të Jashtme, Marija Zaharova, deklaroi se.
“Raketa të tipit Kalibr kanë shkatërruar infrastrukturën ushtarake në portin Odesa, në sulmin me precizitet të lartë.” – deklaroi Zahariova.
Autoritetet ukrainase shprehin bindjen se eksporti i grurit do të vazhdojë, përmes qytetit Odesa, porti më i madh në Detin e Zi. Një pjesë e madhe e drithërave janë të dedikuara për programin për ushqim të Kombeve të Bashkuara, për vendet më të varfëra, kryesisht në Afrikë.