Eksportet gjermane të armatimeve arrijnë rekord

Qeveria gjermane sivjet ka miratuar eksporte armatimesh në vlerën rreth 13,2 miliardë euro – një volum si asnjëherë më parë. Arsyeja, sipas Ministrisë së Ekonomisë, ka të bëjë me luftën në Ukrainë.

Nga fillimi i vitit deri më 17 dhjetor 2024 qeveria gjermane ka miratuar eksportimin e mallrave për armatime në vlerën rreth 13,2 miliardë euro. Këtë e deklaroi Ministria e Ekonomisë duke u bazuar në shifrat paraprake. Kësisoj eksportet e armatimeve arrijnë një vlerë rekord duke e tejkaluar kuotën e një viti më parë. Më 2023 vlera e eksporteve të miratuara për armatimet ishte 12.2 miliardë euro.

Volumi i lartë i eksportit të armatimeve vazhdon të ketë si arsye luftën në Ukrainë.

Ky vend i sulmuar nga Rusia edhe sivjet ka qenë vendi kryesor ku janë dërguar eksportet me një volum 8,1 miliardë euro, që përbën kuotën e 62 përqind të të gjitha eksporteve të miratuara për armatime. “Shifrat theksojnë, që ne vazhdojmë të qendrojmë fort në krahun e Ukrainës në mbrojtjen e saj dhe kundër luftës agresive ruse”, deklarohet nga Ministria e Ekonomisë.

Vlera e përgjithshme prej 13,2 miliardë euro konsiston në 8,1 miliardë euro për armë lufte dhe rreth 5,1 miliardë euro për mallra të ndryshme armatimi.

Përjashtim për eksportetet e armatimeve për Ukrainën

Eksportet e armatimeve i nënshtrohen vazhdimisht verifikimit të posaçëm nga qeveria. Për Singapurin sivjet u miratuan furnizime në vlerën 1,2 miliardë euro, për Algjerinë gati 559 milionë. Pasojnë SHBA (298,5 milionë euro), Turqia (230,9 milionë euro) dhe India (224,0 milionë euro).

Në fakt qeveria nën kancelarin socialdemokrat Olaf Scholz kishte vendosur të ndiqte një kurs restriktiv sa i përket miratimit të eksporteve të armatimeve. Por për mbështetjen e Ukrainës në mbrojtje ndaj Rusisë është bërë një përjashtim. “Ndihma ushtarake për Ukrainën është në interesin tonë të politikës së sigurisë”, deklaroi sekretari i shtetit në Ministrinë e Ekonomisë Bernhard Kluttig. Në përgjithësi qeveria i përmbahet kursit të saj “për një politikë restriktive ndaj eksporteve të armatimeve me një nivel të lartë të standardit të verifikimit”.DW

Lexo gjithashtu
Total
0
Share