Senati amerikan do të shqyrtojë një paketë ndihme urgjente për Ukrainën, Izraelin, Tajvanin dhe aleatët e tjerë, por fati i ndihmave për Ukrainën është i pasigurt në Dhomën e Përfaqësuesve të udhëhequr nga republikanët, me ish-presidentin Donald Trump që e kundërshton atë. Ndërkohë, kancelari gjerman Olaf Scholz ishte në Shtëpinë e Bardhë të premten për të diskutuar në lidhje me ndihmat për Ukrainën.
Rusia vijon të godasë Kievin dhe qytete të tjera të Ukrainës me raketa dhe dronë, ndërsa si qëllim ka të shkaktojë dëme në infrastrukturën jetike të vendit. Së fundmi një sulm me dron në qytetin ukrainas të Kharkivit shkaktoi vrasjes e 7 personave, përfshirë tre fëmijë të vegjël.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy të premten i dha urdhrin “Ylli i Artë”, nderimi më i lartë i vendit, ish-shefit të ushtrisë Valerii Zaluzhnyi. Ceremonia ndodhi një ditë pasi zoti Zelenskyy e zëvendësoi atë.
Në Uashington, Presidenti Joe Biden u takua të premten me kancelarin gjerman Olaf Scholz; një vizitë kjo që në qendër të axhendës kishte ndihmat ushtarake për Ukrainën. Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania janë dy donatorët kryesorë të ndihmës ushtarake për Ukrainën. Ndihmat amerikane janë bllokuar për javë të tëra nga Kongresi, për shkak të kundërshtisë në mesin e shumë ligjvënësve republikanë.
“Dështimi i Kongresit të Shteteve të Bashkuara, nëse ndodh, që të mos mbështesë Ukrainën, është gati gati një neglizhencës kriminale dhe kjo është e turpshme”,tha ai.
Zëri i Amerikës pyeti të enjten Departamentin e Shtetit nëse SHBA-ja mund të vazhdojë të japë ndihmë për Ukrainën ndërsa Kongresi mban të bllokuar paketën e ndihmave.
“Nuk ka një mënyrë magjike për të siguruar paratë. Nuk ka alternativë tjetër kur bëhet fjalë për këtë çështje. Dhe kjo është arsyeja pse ju e keni parë këtë administratë të mbrojë me forcë projektligjin që parasheh financim shtesë e që u bë publik gjatë fundjavës së kaluar”, tha Vedant Patel, Zëdhënës i Departamentit të Shtetit.
Një ekspert i tha Zërit të Amerikës se kancelari Scholz dhe presidenti Biden mund të gjejnë mënyra të tjera kur vjen puna për të ndihmuar Ukrainën.
“Ndoshta Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara mund të mendojnë në mënyrë krijuese për t’i dhënë një përgjigje këtij shqetësimi. Për shembull, nëse Gjermania ka para dhe Shtetet e Bashkuara kanë municione mund të ketë mënyra për të ndihmuar Ukrainën, edhe pa miratimin e ndihmave nga Kongresi. Mund të ketë kanale të tjera dhe mekanizma të tjerë”, thotë Michael Kimmage, nga Universiteti Katolik i Amerikës.
Në Shtëpinë e Bardhë, kancelari gjerman po ashtu komentoi intervistën e ish-prezantuesit të Fox News, Tucker Carlson në Moskë me presidentin rus Vladimir Putin, duke e quajtur atë “qesharake”. Ai e quajti një mashtrim rrëfimin e zotit Putin mbi zanafillën e luftës në Ukrainë dhe tha se arsyeja e vetme për të cilën presidenti rus e nisi ishte pushtimi i territorit./VOA