Ekspertët e rajonit: Tirani i Kremlinit ka gisht te situata në Kosovë, të ngrihet partneriteti ushtarak me Beogradin

Frika e luftës është kthyer në fuçinë e barutit të Europës: Serbia ka vendosur trupat e saj në kufi të Kosovës, të cilën e urren.

A ekziston rreziku i një lufte të re ballkanike?

Tensionet në ish-zonën e luftës (1998-1999) u përshkallëzuan javën e kaluar kur 30 paraushtarakë serbë të armatosur rëndë në veri të Kosovës, sulmuan oficerët e policisë së Kosovës në një fshat të banuar me shumicë serbe. Një polic u vra dhe një tjetër u plagos rëndë. Tre sulmues serbë vdiqën. Udhëheqësi serb, Aleksandër Vuçiq, i cili ka lidhje të ngushta me Rusinë dhe Kinën, vendosi trupa në kufirin me Kosovën- në mënyrë më kërcënuese dhe më masive sesa ka bërë prej shumë vitesh!

BILD-i gjerman ka intervistuar ekspertë të lartë në rajon dhe sjell përgjigjet më të rëndësishme për krizën aktuale.

Sa e rëndë është situata në kufi?

Vendosja e trupave serbe ‘ishte shfaqje force dhe parandaluese kundër Kosovës, e cila filloi të vendoste policinë e saj speciale në veri disa muaj më parë,’ thotë Jakov Devciç, kreu i zyrës për Serbinë dhe Malin e zi në ‘Fondacionin Konrad Adenauer’.

Ish-kreu gjerman i trupave të KFOR-it në Kosovë, gjenerali në pension Erhard Buehler thotë për BILD se zhvillimet aktuale në kufi janë ‘shqetësuese’.

Ai thotë se presidenti Vuçiq mban fajin kryesor. “Është hera e tretë në dy vite që Vuçiq dislokon trupat e tij- por kurrë nuk ka qenë më kërcënuese dhe masive se sa tani. Kjo duhet të marrë fund,” thotë Buehler.

Edhe Konrad Clewing nga Instituti Leibniz për Studimin e Europës Qendrore dhe Juglindore, tha gjithashtu për BILD: “Kësaj radhe situata është më e rrezikshme. Sepse trupat sigurisht mund të përdoren për sulme në territorin e Kosovës”.

A ekziston tani një kërcënim për një luftë të re në Ballkan?

Ekspertët argumentojnë për çështjen e luftës:

-Një luftë e nxehtë është me shumë gjasë e pamundur, sipas ekspertit ballkanik Devcic: “Shumica e serbëve nuk duan të njohin shtetin e Kosovës në asnjë formë, por gjithashtu nuk janë të interesuar të shkojnë në luftë për të”.

-Eksperti i Leibniz-it, Clewing e kundërshton: “Sot e konsideroj për herë të parë një luftë si të mundshme, por jo me gjasa të mëdha”.

Arsyetimi i Clewing: Në një fjalim drejtuar kombit të dielën në mëngjes, Vuçiq tha se ‘për të bëhet fjalë për sovranitetin serb dhe integritetin territorial (përfshirë Kosovën!), dhe se Serbia do të fitojë’. Nëse Vuçiq duket i tunduar nga mundësia për të ecur përpara, në ditët e muajt e ardhshëm mund të ndodhë një sulm në veri të Kosovës. Vuçiq ka qenë nën presion të konsiderueshëm brenda vendit prej muajsh.

Fakti që forca e KFOR-it, e udhëhequr nga NATO është vendosur që nga viti 1999 dhe lejohet të ndërhyjë ushtarakisht menjëherë, do të thotë se ‘kalimi i kufirit serb në Kosovë nga ushtria serbe çon në mënyrë të pashmangshme në luftë mes Serbisë dhe NATO-s’, thotë Clewing.

A ka gisht në lojë tirani i Kremlinit, Vladimir Putin?

Serbia është afër Rusisë dhe mund të jetë e sigurt për mbështetjen e Moskës.

Ish-komandanti i KFOR-it, Buehler thotë: “Rusia dhe Serbia, Putini dhe Vuçiqi mbështeten në konfliktet e ngrira etnike në Ballkan, të cilat mund t’i ringjallin në çdo kohë”. Putini është pa dyshim një pjesë aktive e konfliktit.

Historiani i Leibniz-it, Clewing është i sigurt: “Për Rusinë, përveç luftës së saj kundër Ukrainës, çdo dobësim dhe shpërqendrim i Perëndimit nga problemet kudo në botë dhe veçanërisht këtu në Europë, është shumë i mirëpritur”.

Çfarë duhet të bëjnë BE-ja dhe NATO-ja tani?

Ish-gjenerali Buehler kërkon pasoja të rënda: “Liderit serb, Vuçiq, duhet t’i tregohet se ky ishte fundi. BE dhe NATO duhet të vendosin sanksione kundër Beogradit”. Një gjë të tillë e ka kërkuar më parë edhe kryeministri kosovar, Albin Kurti.

Ushtria serbe listohet si ‘partnere’ nga NATO dhe ftohet në stërvitje. Por Buehler thotë: “Politikisht ne duhet të vazhdojmë të flasim, por partneriteti ushtarak tani duhet të ngrijë”.

Çfarë do të thotë përshkallëzimi aktual për Europën?

Kriza në Ballkan ka një ndikim të qartë edhe në Europën Qendrore dhe Perëndimore.

Eksperti i Ballkanit, Devcic, paralajmëron për një tjetër ‘pikë të hapur krize në Europë që do të na godasë pak përpara zgjedhjeve europiane dhe zgjedhjeve presidenciale në SHBA në vitin 2024’.

-Një vakum pushteti që rrethon zgjedhjet në Perëndim dhe që do ‘të kufizojë aftësinë tonë për të vepruar’.

-BE dhe KFOR duhet të vepronin më me forcë: “Pa më shumë prani perëndimore, dhe rrjedhimisht edhe gjermane në veri të Kosovës, nuk do ketë paqe dhe siguri”.

Historiani Clewing paralajmëron për një ‘destabilizim’ për Europën dhe një ‘turp të madh për BE-në’: “I ashtuquajturi dialog i ‘moderuar’ i BE-së mes Serbisë dhe Kosovës nuk ka çuar pothuajse asgjëkundi”.

Përfundimi vjen nga Clewing: “Serbia duhet të ndalet- së pari diplomatikisht dhe politikisht. Por në një rast emergjence, edhe ushtarakisht përmes NATO-s”.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share