Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka dënuar Ekrem Bajroviqin me 12 vjet burgim për krime lufte kundër popullatës civile në bashkëkryerje. Koha e kaluar në paraburgim nga data 19.10.2022 do t’i llogaritet në dënim, por jo më shumë se dënimi i shqiptuar. Bajroviq do të mbetet në paraburgim deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.
Gjykata ka urdhëruar Bajroviqin të paguajë 300 euro për shpenzimet gjyqësore dhe 100 euro për programin e kompensimit të viktimave të krimit, brenda 15 ditëve nga plotfuqishmëria e aktgjykimit. Të dëmtuarit janë udhëzuar të ndjekin kontest të rregullt juridiko-civil për kërkesat pasurore-juridike.
Aktakuza ndaj Bajroviqit përfshin veprime gjatë luftës në Kosovë më 7 dhe 8 maj 1999, ku ai, si polic në Stacionin Policor në Gurrakoc, në bashkëkryerje me forcat serbe, mori pjesë në dëbimin, vrasjen dhe ushtrimin e dhunës ndaj popullatës civile shqiptare. Në një incident më 8 maj 1999, ai dhe forcat serbe ndanë meshkujt nga gratë, pleqtë dhe fëmijët, i rrahën dhe i pushkatuan të paktën 16 civilë shqiptarë, duke përfshirë të mbijetuarin N.E., i cili mbeti i plagosur rëndë.