Egjipti kërcënon Izraelin me pezullimin e Traktatit të Paqes

Kryeministri Netanyahu këmbëngul për ofensivën në Rafah, kundër SHBA-ja, Arabia Saudite e Katari

Shtëllunga tymi mbi qytetin Rafah të Gazës, paralajmërim i ofensivës izraelite ndaj kësaj cope toke ku strehohen rreth 1.4 milionë palestinezë. Por presioni kundër kësaj ofensive po rritet e nuk vjen vetëm nga Shtëpia e Bardhë.

Egjipti kërcënoi me pezullimin Traktatit të Paqes me Izraelin, nëse trupat izraelite dërgohen në qytetin kufitar Rafah,të Gazës. Ky kërcënim për të pezulluar marrëveshjet e arritura në “Camp David”, një gur themeli i stabilitetit rajonal për gati një gjysmë shekulli, erdhi pasi kryeministri Benjamin Netanyahu këmbënguli për dërgimin e trupave në Rafah, që sipas tij ishte i nevojshëm për të fituar luftën kundër “Hamas”.

Në një intervistë për televizionin ABC, kryeministri Benjamin Netanyahu sugjeroi se civilët në Rafah mund të largohen në veri, duke sqaruar se “shumë zona” janë pastruar nga ushtria.

Është pjesë e përpjekjeve tona të luftës për t’i larguar civilët nga rreziku. Është pjesë e përpjekjeve të Hamasit që civilët të rrezikohen.” Ai shtoi se Izraeli po harton një “plan të detajuar” për t’i zhvendosur civilët. Sipas Netanayahu-t, Hamasi ka ende katër batalione atje.

Ndërkohë, ofensiva izraelite ka shkaktuar shkatërrime të mëdha, veçanërisht në Gazën Veriore, ndërsa luftime të ashpra po zhvillohen ende në Gazën Qendrore dhe qytetin jugor Khan Younis. Një operacion tokësor në Rafah mund të detyrojë gjithashtu mbylljen e pikëkalimit kufitar, duke ndërprerë një nga rrugët e vetme për dërgimin e ushqimit dhe furnizimeve mjekësore shumë të nevojshme.

Katari, Arabia Saudite dhe vende të tjera kanë paralajmëruar gjithashtu për pasoja të rënda nëse Izraeli dërgon forca tokësore në Rafah.

Përplasja mes Izraelit dhe Egjiptit, dy aleatë të ngushtë të SHBA-së, vjen ndërsa grupet e ndihmës paralajmërojnë se një ofensivë në Rafah do të përkeqësonte situatën tashmë katastrofike humanitare në Gazë.

Po ashtu stacioni televiziv Al-Aqsa i Hamasit citoi një zyrtar të paidentifikuar të grupit militant të thoshte se çdo operacion në qytetin Rafah do të “hidhte në erë” bisedimet për armëpushimin dhe lirimin e pengjeve izraelitë. Ka fërkime në rritje edhe midis Netanyahut dhe Shteteve të Bashkuara.

Sulmet izraelite në Rripin e Gazës gjatë 96 orëve të fundit kanë vrarë dy pengje izraelite dhe kanë plagosur rëndë tetë të tjerë, tha të dielën krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat Al Qassam, përmes kanalit Telegram të grupit. Zëdhënësi i Ushtrisë së Izraelit tha të martën se 31 nga pengje të mbajtur nga Hamasi në Gaza kanë vdekur.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share