Edi Rama shkarkon të gjithë sekretarët e PS-së

Ka zgjatur rreth 1 orë mbledhja e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste në Shqipëri, e cila solli ndryshime të rëndësishme në strukturën e drejtuese të partisë, pasi është shkarkuar sekretariati ekzekutiv.

Asambleja Kombëtare e PS-së ka zgjedhur si Sekretar të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Blendi Klosin, i cili më parë ka mbajtur pozicionin Sekretari Organizativ në parti. Vendin e tij më parë e ka mbajtur që nga shtatori 2021 Damian Gjiknuri. Ky i fundit nuk pranoi që të komentojë vendimin e Asamblesë, por shtoi se “më mirë do të bëhet”, raporton ReportTv.

Rokadë duket se ka ndodhur mes Blendi Çuçit dhe Taulant Ballës. Ish-ministri i Brendshëm do të jetë kryetar i Grupit Parlamentar të PS-së, post të cilin e ka mbajtur më parë Taulant Balla.

Ndërkohë është konfirmuar se nuk ka pasur ndryshime në kabinetin qeveritar, por gjithsesi mund të ketë, pasi kreu i qeverisë ka paralajmëruar se me këtë do të merret nesër ose pasnesër, thanë burime për Report Tv.

Asambleja, e cila vjen 1 vit pas mbledhjes më të fundit mes socialistëve, do të pasohet nga një tjetër takim dy ditë më pas.

Më 28 dhe 29 korrik në Tepelenë, kryeministri Edi Rama do të mbledh qeverinë në një takim informal. Zyrtarisht thuhet se në këtë takim do të shpallen objektiva të reja për ministritë përkatëse. Gjithsesi asambleja mblidhet në një situatë delikate brenda kampit rozë. Socialistë me emër, kryetarë bashkish janë arrestuar, dhe së fundi prej disa ditësh SPAK ka urdhëruar arrestimin e zv.kryeministrit Arben Ahmetaj.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share