Seanca e të martës në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka filluar në sesion privat.
Dëshmitari 18-të (me kodin 03832) ka filluar dëshminë ditën e djeshme, të cilën dëshmi e ka dhënë gjatë tërë kohës në sesion privat dhe po e vazhdon edhe sot në të njëjtën mënyrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Paraprakisht, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Charles Smith ka dhënë urdhër me gojë lidhur me çështjen e mosshtimit në listën e materialeve dokumentet që veçse janë në listën e materialeve që i ka pala thirrëse.
Gjykatësi Smith tha se ky ndryshim ka pasur të bëjë vetëm me kërkesën për palët dhe pjesëmarrësit për ngarkimin e dokumenteve nga lista e materialeve të palës që ka thirrur dëshmitarin.
Andaj, është vendosur që nëse një dokument nuk është në atë listë, atëherë çdo ekip do të vendos atë dokument në listën e vet të materialeve, me arsyetimin se trupi gjykues e vlerëson se kështu është më së miri të vazhdohet tutje.
Gjithashtu, nëse një dokument nuk është në listën e provave ende, palët duhet të lajmërojnë menjëherë për pretendimin e tyre për përpilim të pyetjeve apo kundër-pyetjeve duke u bazuar në atë dokument dhe se kjo do trajtohet nga trupi gjykues në rastin përkatës.
Gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.
Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.
Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill, 12 prill, 13 prill dhe më 17 prill.