“Edhe nëse ka shi, parada nuk shtyhet”

Kryebashkiaku Veliaj tregoi në Klan News kalendarin e aktiviteteve për festat e nëntorit

Edhe pse sinoptikanët kanë parashikuar reshje të dendura shiu në kryeqytet të martën, Parada Kuqezi nuk do të shtyhet.

“Ka disa arsye që më bëjnë që mos ta shtyj. Së pari me gjithë këto arritje që kemi pasur ne shqiptarët, duhet të pranojmë që sot jetojmë në një situatë ku i vetmi që mund të bëhet pengesë për një shqiptarë, është një shqiptar tjetër. Sot nuk na pengon asnjë forcë e huaj. Ne në datën 29 fatkeqësisht fillojmë me ato ndasitë tona, e vetmja datë që biem dakord të gjithë është data 28. Kështu që me shi, pa shi, ne do të jemi aty”.

Por, pse u zgjodh Tirana dhe jo Vlora për një paradë të tillë?

“Asnjë xhelozi, është si t’i thuash Uashingtonit a ka xhelozi me Filadelfian, meqë Kushtetuta amerikane u bë aty. Tani jeta është kjo që është. Vlora filloi si kryeqytet, do ngelet gjithmonë Vlora e Flamurit. Edhe në fjalën time sot në darkë në pritjen zyrtare me gjithë kryetarët e bashkive, kam dedikuar Vlorës një rëndësi të veçantë”.

Në një bisedë në Klan News, me gazetarin Besard Jacaj, Erion Veliaj zbardhi detaje nga axhenda e festimeve dy ditore që do të përfshijnë kryeqytetin.

“Në darkë do të jetë Festivali i Gjirokastrës që kthehet në një skenë kryesore në sheshin Skënderbej organizuar nga Ministria e Kulturës. Ndërkohë që do të vijojmë me datën 29 ku do të kemi pritje protokollare të Dëshmorët e Kombit, për të vazhduar më pas me një Natë të Bardhë, me Noizy-n, Kidën, Mc Kreshën, me një pafundësi këngëtarësh. Dhe pastaj ajo traditë e bukur që Edi Rama nisi në Bashkinë e Tiranës si kryetar bashkie për Natën e Bardhë do të jetë diçka që do të vazhdojë”.

Kryetari i Bashkisë foli edhe për propozimin për një rishkrim të historisë së Shqipërisë.

“Unë besoj që ka nevojë që njerëzit të dinë më shumë, sidomos brezi i ri të dijë më shumë. Shqiptarët duhet të kuptojnë nga kemi ardhur, me sa mund është krijuar kjo Shqipëri që kemi dhe me sa mund është ruajtur ky territor, që po të ishte për librat historisë ne do të donim të kishim trojet që kishim shumë vite më parë. Por realiteti është ky”.

Shqipëria këtë 28 dhe 29 Nëntor feston 111 vjetorin e Pavarësisë dhe 79 vjetorin e Çlirimit.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share