Edhe Gjykata e Lartë lë në fuqi “arrestin në shtëpi” për Sali Berishën

Në Shqipëri Gjykata e Lartë konfirmoi sot arrestin në shtëpi për ish kryeministrin Sali Berisha, duke rrëzuar kërkesën e tij për ndryshimin e kësaj mase sigurie.

Zoti Berisha është në hetim për procedurat e ndjekura në rastin e privatizimit të ish klubit sportiv Partizani. Ai dyshohet të ketë favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, një nga ish pronarët e truallit, mbi të cilin më pas, u ngrit një kompleks pallatesh.

Fillimisht ndaj tij, në muajin tetor, u vendos masa “Detyrim për paraqitje” dhe “Ndalim të lëvizjes jashtë vendit”. Por ish kryeministri e shpërfilli atë duke e konsideruar në shkelje të kushtetutës. Për këtë arsye, Prokuroria e Posaçme kërkoi më pas “arrestin në shtëpi”, ndërsa parlamenti u shpreh në favor të heqjes së imunitetit ndaj zotit Berisha.

Gjatë gjithë kësaj kohe ish kryeministri dhe avokatët e tij, kanë shfrytëzuar të gjitha hapësirat ligjore për të kërkuar heqjen e masës së sigurisë, duke pretenduar se ndaj tij nuk ka asnjë akuzë apo dhe prova. Deri më tani, të trija shkallët e gjyqësorit në Shqipëri, i kanë refuzuar kërkesat e tyre, sikundër dhe atë për pjesmarrjen e zotit Berisha në punimet e parlamentit.

Sipas Prokurorisë e cila i është referuar Kodit të Procedurës penale, “në kohëzgjatjen e arrestit në shtëpi, vlejnë rregullat e paraburgimit”, e për pasojë “e drejta për të ushtruar profesionin, apo qoftë dhe mandatin e fituar nga zgjedhjet për Kuvendin, duhet të konsiderohet si e papajtueshme me zbatimin e masës së sigurimit “arrest në shtëpi”.

Prokurorët kanë mbështetur po ashtu idenë, se në asnjë dispozitë ligjore nuk është parashikuar mundësia e dhënies së një leje të tillë e sipas tyre edhe në kërkesën e avokatit të zotit Berisha “nuk evidentohet asnjë dispozitë mbi të cilën të mbështetet kërkesa për dhënien e kësaj leje”. /VOA

Lexo gjithashtu
Total
0
Share