Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka mbajtur fjalim vjetor para pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Osmani në adresimin e saj kishte një dukje më ndryshe, ajo kishte veshur rroba ushtarake.
Gjatë fjalimit të saj në Komandën e Forcave Tokësore në Istog tha se në kohën kur arkitektura e sigurisë po sfidohet e atakohet, forcimi i kapaciteteve mbrojtëse është domosdoshmëri.
Komandantja supreme para ushtarëve të vendit tha se betimi që ushtarët kanë dhënë për t’i shërbyer atdheut është më i shenjtë se çdo gjë tjetër.
“Viti që po lëmë pas u përcoll me sfida jo vetëm për ne, por edhe për botën. Duhet të jemi të vetëdijshëm që sfidat do të rriten krahas me përpjekjet për ta sfiduar paqen dhe rendin botëror nga regjimet autoritare hegjemoniste. Prandaj, më shumë se kurrë na duhet devotshmëri ndaj atdheut, vigjilencë e përkushtim që Republikës t’i bëhemi gardianë”, tha Osmani.
E para e vendit theksoi se së bashku me partnerët tanë dhe si detyrim ndaj grave e burrave që dhanë jetën për liri së shpejti do ta zëmë vendin tonë të merituar në Aleancën Veri-Atlantike.
“Kjo gatishmëri e juaja për ta mbrojtur vendin nga çdo rrezik na bën krenar secilin. Është nder e privilegj sa herë jam në mesin tuaj. Mbi të gjitha djemtë e vajzat e forcës sonë janë të gatshëm për të mbajtur integritetin territorial e sovranitetin e shtetit tonë. Ju shqyheni për përkushtimin ndaj vendit, për nivelin profesional, për disiplinë e përkushtim ndaj ndaj detyrës, për nderin ndaj vendit tuaj. Kjo na bën krenar ne si shtet”, tha ajo./klankosova