E pabesueshme, fustani dixhital që ndryshon sa hap e mbyll sytë

Keni dëshiruar ndonjëherë të ndërroni veshjen sa hap e mbyll sytë? Apo të shkarkoni  një fustan nga interneti? Tani mund ta bëni duke shtypur vetëm një buton.

Gjatë konferencës së Adobe Max 2023, Christine Dierk, njëra prej kërkueseve mbajti veshur një fustan që ndryshonte ngjyrë dhe model thuajse çdo sekondë, raporton “Metro”.

Ajo e përshkroi veshjen si “një fustan dixhital që i jep jetë copës” dhe dizenjoja ndryshonte duke u bërë me vija e zigzage që u shoqëruan me brohoritje e duartrokitje prej të pranishmëve.

Veshja lëviz bashkë me personin që e mban çka do të thotë se nuk dëmtohet edhe nëse ulesh mbi të. Dizenjot janë krijuar përmes programeve të Adobe, përfshirë Firefly që gjeneron imazhe me anë të inteligjencës artificiale.

Dizenjot ndryshojnë me anë të një butoni që përdor teknologjinë e quajtur Project Primrose, por Dierk shpjegon se mund të bëhet edhe automatikisht.

Ende nuk ka informacion se sa kushton fustani apo kur mund të jetë i disponueshëm për publikun e gjerë, por kompania shpreson se mund të aplikohet për objekte të tjera si divanet apo çantat. Synimi është që njerëzit të ndryshojnë menjëherë pamjen në vend që të blejnë artikuj të ri në mënyrë që ajo që quhet “fast fashion” (moda e shpejtë) të zëvendësohet nga “fast change” (ndryshimi i shpejtë).

Fillimisht kjo teknologji u krijua për dritaret “smart” që mund të ndryshojë reflektimin. Përveç dizajnit, është shumë e lehtë që copa të pritet sipas përmasave.

Edhe pse fustani është ende një prototip, i paraprin të ardhmes së modës dhe kjo do të thotë se askujt nuk do t’i duhet të përballet me ‘tmerrin’ e të veshurit sërish të njëjtën gjë./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share