E mbijetuara nga vullkani heq për herë të parë maskën në një intervistë televizive

Një e mbijetuar nga shpërthimi i vullkanit White Island në Dhjetor 2019 ka hequr maskën e saj të fytyrës në një emision televiziv. Stephanie Browitt, nga Australia pësoi djegie në 70% të trupit kur një vullkan shpërtheu në ishullin që ajo po vizitonte pë pushime me kroçerë, së bashku me familjen e saj në Zelandën e Re.

Shpërthimi vullkanik mori jetët e 22 njerëzve, përfshirë motrën 21-vjeçare të Browitt dhe babanë e saj.

E reja ka kaluar një rrugëtim të gjatë për shërimin e trupit dhe fytyrës së saj, të cilin e ka ndarë në rrjetet sociale me 1.6 milionë ndjekësit e saj. Gjatë një interviste në emisionin “60 Minutes”, 26-vjeçarja hoqi maskën e saj të djegies duke zbuluar fytyrën dy vite pas ngjarjes tragjike.

Përballë moderatores Sarah Abo, Browitt tha të mundte më në fund të hiqte maskën i dukej “diçka e rëndësishme”, ndërsa ndihej sikur “kjo ditë nuk do të vinte kurrë”. Përballë pasqyrës, ajo përmblodhi të gjitha ndjesitë e saj ndërsa shihte reflektimin e vetes.

“Shoh një njeri që ka vuajtur shumë më shumë nga sa unë prisja të kaloja në jetë. Shoh një njeri të torturuar. Po aq sa është emocionuese, m’u desh një rrugë e gjatë dhe e vështirë të mbërrija këtu. Jam më e fortë se kurrë. Kam mësuar se lufta për mbijetesë është e vërteta. Po luftoja çdo ditë të mbijetoja, të kthehesha tek të qenurit vetja. Nuk e mendoja se e kisha këtë forcë brenda meje”.

Episodi i së dielës shfaqi dhe imazhe të patreguara më parë të djegieve të tmerrshme të Browitt që mbulonin thuajse të gjithë trupin e saj. Pas shpërthimit, ajo qëndroi në koma për dy javë, ndërsa e vetmja pjesë e paprekur nga djegiet ishin këmbët, të cilat shpëtuan mrekullisht për shkak të mbrojtjes nga atletet.

Stephanie rikujtoi edhe momentin e zgjimit për herë të parë, të cilin e mban mend vetëm me copëza të shkëputura. “Isha me tuba gjithandej, e rrethuar nga pajisje mjekësore në një dhomë të vogël të zhurmshme. Këto gjëra do t’i mbaj mend gjithmonë, nuk do të largohen kurrë prej meje. Janë gjëra që thjesht s’mundesh t’i harrosh”, tha ajo.

Shërimi ishte një tjetër proces në të cilin asaj iu desh të mësonte nga fillimi edhe veprimet më të thjeshta. “Duhet të nisja nga zero, si një foshnje. Të ulesha, të ngrihesha nga shtrati, të bëja hapat e parë, madje edhe të ushqehesha. Duhet t’i mëosja nga fillimi dhe nuk ishin aspak të lehta”.

Aktualisht, Browitt është në proces paditjeje ndaj kompanisë së kroçerave për traumat fizike dhe psikologjike. Sipas avokatit të saj, të dhënat e ditëve gjatë së cilave Stephanie dhe vizitorët e tjerë ndodheshin në ishull, tregonin se ai ishte një ‘minë me sahat’./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share