E Majta: BDI është simbol i dhunës – zëvendësdrejtori Blerim Iseini është emëruar në mënyrë joligjore

Partia e Majtë përmes një komunikate për media akuzon partinë shqiptare në Qeveri BDI dhe funksionarët e kësaj partie duke thënë se BDI mbijeton në pushtet vetëm për shkak të lidhjeve të ngushta me faktorin e jashtëm, transmeton KlanM. Sipas tyre zëvendësdrejtori i Agjencisë për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informata Publike, Blerim Iseini – staf i BDI-së i cili është emëruar në atë pozitë nga Kuvendi, nuk i plotëson kushtet e parapara për këtë funksionin të cilin e ushtron.

Komunikata e plotë e partisë E Majta:

Me çdo ditë që kalon nga pushteti i BDI-së së dhunshme dhe kriminale, Maqedonia është më larg agjendës evropiane për demokraci dhe sundim të ligjit.

Pas dhunës së djeshme të Arbër Ademit, i cili njihet vetëm për gradimin e paligjshëm në profesor asistent, si dhe kërcënimeve të hapura maqedonofobike të sekretarit të Ministrisë së Kulturës, Velmir Aziri, njoftojmë një tjetër skandal lidhur me emërimin e paligjshëm të një zëvendësdrejtor nga BDI.

Gjegjësisht, zëvendësdrejtori i Agjencisë për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informata Publike, Blerim Iseini – staf i BDI-së i cili është emëruar në atë pozitë nga Kuvendi, nuk i plotëson kushtet e parapara për këtë funksion.

Ndonëse ligji parashikon që në këtë detyrë mund të emërohet një person me 300 kredi në fushën e drejtësisë, Blerim Iseini është emëruar në mënyrë skandaloze si nëndrejtor me fakultet të diplomuar për gazetari në Tiranë. 

Ky është vetëm një nga skandalet, që janë të përditshme në qeverisjen e të përkëdhelurit të diplomacisë së huaj, gjegjësisht BDI-së, pa logjistikën dhe mbështetjen e jashtme aktive të së cilës, ky grup nuk do t’i mbijetonte 20 vjet në pushtet. 

Në fakt, heshtja e plotë dhe mungesa e dënimit nga ndërkombëtarët për incidentet e djeshme në Kuvend, tregojnë se BDI mbijeton në pushtet vetëm për shkak të lidhjeve të ngushta me faktorin e jashtëm. Arbitrariteti i BDI-së, një parti që në mënyrë aktive përdhosi dhe përmbysi shtetin e së drejtës, për të cilën incidentet dhe krimet nuk kanë pasoja, sepse janë nën mbrojtjen e përfaqësuesve të “bashkësisë ndërkombëtare” – duhet të ndalet dhe të marrë fund, sepse Prania e BDI-së në pushtet e rrënjos korrupsionin si pjesë përbërëse e sistemit. Maqedonofobikut Velmir Aziri po i themi se thirrjet e tij për rrahje dhe agresion nuk kanë më asnjë efekt te shqiptarët e varfër, të cilët prej 20 vitesh janë detyruar të emigrojnë masivisht, ndërsa zyrtarët e BDI-së në mënyrë kriminale po shtojnë pasurinë.

Shitja e nacionalshovinizmit dhe përhapja e frikës ndaj BDI-së tashmë është një ide e sfilitur që i ka mbaruar koha, thuhet në komunikatën e partisë E Majta.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share