E hamë, e pimë dhe nëpërmjet frymëmarrjes: Ja si plastika hyn në organizmin tonë!

Materiali plastik pothuajse i pathyeshëm ka pushtuar mjediset tona në formën e grimcave të vogla: mikroplastikat, më të vogla se 5 milimetra dhe nanoplastikat, që variojnë nga 1 deri në 1000 nanometra (miliontët e milimetrit). Të ndryshme në formë dhe përbërje, këto grimca formohen nga copëzimi i copave më të mëdha dhe nuk është e pazakontë t’i gjejmë ato, për shembull, në ushqime. Produktet e peshkut duket se janë më të kontaminuarat, por mikroplastika dhe nanoplastika janë të pranishme edhe në kripën e gjellës (të gjetur në 18 studime!), në qumësht, mjaltë, oriz, sheqer, pije të ndryshme madje edhe në birrë, e cila normalisht shitet në gotë, shishe ose kanaçe alumini.

Ndotja e peshqve, molusqeve dhe krustaceve sigurisht vjen nga deti. Megjithatë, origjina e mikroplastikës që gjendet në produktet e tjera është më pak e qartë, edhe nëse dyshimi është se ajo rrjedh kryesisht nga filmat që i mbështjellin ato dhe nga paketimi. Për të njëjtën arsye, në fund të fundit, uji i ambalazhuar mund të përmbajë edhe plastikë, megjithëse mikrogrimca janë gjetur edhe në ujin që del nga rubineti, ndonëse në përqendrime më të ulëta.

Pasojat e këtij ekspozimi të zgjatur dhe të vazhdueshëm nuk janë befasuese: studimet që kanë kërkuar mikroplastikë në trupin tonë janë ende të pakta, por fakti shqetësues është se ata që e kanë bërë këtë i kanë gjetur gjithmonë ato. Për shembull, në vitin 2019, hulumtimi i Universitetit të Vjenës, i botuar në Annals of Internal Medicine, gjeti 9 lloje të ndryshme mikroplastike në feçet e të 8 vullnetarëve që iu nënshtruan testeve.

Një studim anglez i botuar në Science of the Total Environment dokumentoi praninë e 12 llojeve të ndryshme të mikroplastikës dhe nanoplastikës në indet e mushkërive të 11 pacientëve që i nënshtroheshin operacionit (nga gjithsej 13 të ekzaminuar). Studiuesit u mahnitën nga shumëllojshmëria por edhe nga sasia e zbuluar (1-2 grimca për gram ind) dhe nga fakti që trupat e huaj kishin depërtuar shumë thellë në mushkëri. Një shenjë që, me mikroplastikën, sistemi natyror i “pastrimit” të traktit respirator funksionon më pak mirë sesa mund të shpresojmë. Dhe ky studim nuk është as i pari: një studim brazilian kishte gjetur mikroplastikë në mushkëritë e 13 personave nga 20 të ekzaminuar. Dhe më parë një rezultat i ngjashëm u mor në indet e marra nga kufomat.

Megjithatë, edhe më domethënës është një hulumtim i publikuar në Environment International nga një grup nga Universiteti i Amsterdamit. Këtë herë gjaku ka përfunduar nën thjerrëzën e shkencës: lëngu që përmes enëve të gjakut arrin në çdo organ dhe çdo qelizë të vetme. Mikroplastika të llojeve të ndryshme u gjetën në mostrat e 17 nga 22 vullnetarët që pranuan t’i nënshtroheshin testeve, në një përqendrim mesatar prej 1.6 mikrogramë për mililitër. Polimeri më i zakonshëm ishte polietilen tereftalati (ose PET, me të cilin bëhen shishet, për shembull), i zbuluar në gjysmën e subjekteve pozitive. I ndjekur nga polistireni (ose polistiren), i pranishëm në 36% të mostrave, polietileni (në 23%) dhe polimetilmetakrilat (5%).

Me çfarë pasojash? Edhe pse të gjithë vullnetarët ishin në gjendje të mirë shëndetësore, studiuesit theksojnë se dimensionet e grimcave janë të tilla që mund të bllokojnë kapilarët, duke rrezikuar mikroqarkullimin. Për më tepër, është plotësisht e besueshme që, nëpërmjet qarkullimit të gjakut, mikroplastika mund të arrijë në organe të ndryshme (në veçanti, mëlçinë dhe veshkat) dhe të grumbullohet atje, sepse trupi ynë nuk është në gjendje t’i degradojë ose t’i heqë qafe ato. Një studim i kryer në minj shtatzënë zbuloi gjithashtu se mikroplastika e thithur, sapo të arrijë në gjak, mund të arrijë në placentë dhe të kalojë në fetus.

Efektet e ekspozimit që zgjat ndër vite nuk janë aspak të qarta. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka publikuar një raport që ka bërë një pasqyrë të studimeve të disponueshme, duke nënvizuar mungesën e të dhënave të mjaftueshme për të nxjerrë përfundime.

/SCAN

Lexo gjithashtu
Total
0
Share