4 aksidente me 18 të plagosur janë shënuar mëngjesin e kësaj të diele në vendin tonë.
Një aksident me 10 të lënduar ka ndodhur në vendin e quajtur “Safari park” në Fier. Policia njofton se makina tip “Ford” me drejtues 61-vjeçarin me iniciale F.B. është përplasur me makinën tip “Mazda” me drejtues 62-vjeçarin me iniciale M.Z. Si pasojë e përplasjes janë dëmtuar dhe ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve, dy pasagjere, 25-vjeçarja G. G., 25 vjeçe dhe 56-vjeçarja A. B..Gjithashtu janë dëmtuar lehtë edhe 2 drejtuesit e mjeteve si edhe 6 pasagjerë në këto mjete, të cilët po kryejnë ekzaminimet mjekësore në spital.
Një tjetër aksident ka ndodhur në “Rrugën e Kombit” ku për pasojë janë plagosur 5 anëtarët e një familjeje, 3 fëmijët dhe çifti i bashkëshortëve. Në aksident është përfshirë një makinë me targa serbe, e cila është përplasur me trafikndarësen dhe ka dalë nga rruga. Të plagosurit janë dërguar menjëherë në spitalin e Rrëshenit për të marrë mjekim më të specializuar. Sipas informacioneve paraprake, gruaja që ndodhej në makinë paraqitet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Po ashtu, dy persona mbetën të plagosur mëngjesin e kësaj të diele në aksin rrugor Burrel-Skuraj. Automjeti me të cilin po udhëtonin doli nga rruga dhe përfundoi disa metra poshtë saj. Ngjarja ka ndodhur në Shkopet në vendin e quajtur “Vabli”, në një kthesë. Nuk dihen shkaqet e aksidentit ndërsa dy personat që ndodheshin në automjet janë dërguar për të marrë shërbim mjekësor në spitalin e Laçit.
Një makinë tip “Peugeot” me drejtues 74-vjeçarin me iniciale P.V. ka përplasur një motor me drejtues qytetarin me iniciale D.H. Ky i fundit është dëguar në spital për mjekim më të specializuar dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Me drejtuesin e automjetit po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale. Aksidenti u shënua mëngjesin e sotëm në lagjen numër 18 në unazën e qytetit të Korçës.
Grupet hetimore po hetojnë shkaqet dhe rrethanat e aksidenteve të ndodhura këtë të dielë./tvklan.al