“Levica” pretendon se sipas njoftimeve qe kanë dalë nga dialogu midis Odës Ekonomike dhe Kryeministrit Mickoski, Qeveria e re po ndërmerr një ofensivë kundër punëtorëve me qëllim që E Diela të bëhet ditë pune.
Sipas “Levicës”, Kryeministri Mickoski, në emër të Qeverisë, është shprehur i gatshëm të hap dialogun me sindikatat ku punëtorëve do t`u imponohet vullneti i oligarkëve. Kjo, sipas “Levicës” vjen në kohën kur po diskutohet edhe rritja e kufirit të moshës së pensionimit në vend.
“Është e palejueshme që në kohën kur në mënyrë drastike po rritet pakënaqësia tek punëtori maqedonas dhe kur kemi vazhdimisht largime të punëtorëve nga Maqedonia, të negociohet për marrjen e të drejtave të punëtorëve dhe vënien e të drejtave të tyre në pozitë nënçmuese karshi sektorit të biznesit” – thone nga LEVICA.
Sipas “Levicës” kjo sjellje kapitaliste në kurriz të punëtorëve ka qenë e pritur pas rikonstruimit të Qeverisë ku Ministria për Punën iu nënshtrua Ministrisë së Ekonomisë, me çka Qeveria e re ka për qëllim që “parajsën” e të pasurve të ndërtojë në “ferrin” e punëtorëve.
Nga “Levica” paralajmërojnë dialog me sindikatat dhe punëtorët, sic thonë, për luftë të organizuar kundër sjelljes skllavopronare të qeverisë së re. /tvklan.mk/