Një rrjet kriminal që drejtohej nga shqiptarë dhe që dyshohet merrej me trafik ndërkombëtar të kokainës, është shkatërruar nga policia spanjolle.
Mbi 820 kilogramë kokainë u sekuestruan, dhe 17 persona u arrestuan, në mesin e tyre edhe “koka” e grupit, i njohur për kontaktet e tij në Amerikën Latine, Evropë dhe Dubai.
Hetimi filloi në fillim të 2023-tës, dhe u zhvillua me disa faza. Në fillim hetimet kishin në fokus identifikim e drejtuesit të grupit kriminal, i cili menaxhonte kompani të ndryshme në Spanjë, shkruan Tvklan.al, përcjell Klankosova.tv.
Pasi u identifikua kreu i bandës, hetuesit më pas u fokusuan edhe tek anëtarët e tjerë të rrjetit kriminal, gjë që i lejoi ata të specifikonin strukturën si dhe zbulimin e disa shtëpive luksoze dhe magazina industriale në pjesë të ndryshme të Valencias që ky rrjet kriminal zotëronte.
Të arrestuarit të cilët akuzohen për trafik droge, pastrim parash dhe sulme ndaj punonjësve të rendit dolën para gjykatës, ku aty u urdhërua që ata të dërgohen në burg.